Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit për Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, ka thënë se kjo ditë përbën thirrje për gjithë shoqërinë.
Ai u shpreh se heshtja dhe stigma vazhdojnë të jenë pengesë për mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.
“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”, tha Kurti.
Sipas tij, kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e të mbijetuarve, por përgjegjësi e shoqërisë dhe institucioneve.
“Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri për ta thyer atë. Është detyra jonë si shtet e shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale me empati dhe respekt të thellë njerëzor”, u shpreh ai.
Kurti theksoi gjithashtu se Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, ndërsa Serbia, sipas tij, vazhdon të mos përballet me përgjegjësinë.
“Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve”, tha Kurti.
Ai shtoi se ndërsa Kuvendi i Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale si armë lufte, Kuvendi i Serbisë, sipas tij, ka shërbyer për “falsifikim institucional të së vërtetës”.
