Lajme

Kurti mohon punësimet familjare në Qeveri: Asnjë nga vëllezërit e mi nuk ka hyrë në këtë ndërtesë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur poshtë akuzat për punësime familjare në institucionet që drejton, duke thënë se në Qeverinë e tij askush nuk punësohet për shkak të lidhjeve familjare.

Kurti tha se qeveria nuk ua ndalon familjarëve të zyrtarëve të aplikojnë për vende pune, por sipas tij, punësimi nuk bëhet mbi bazën e afërsisë familjare.

“Në Qeverinë Kurti nuk ka punësime familjare. Askush nuk punësohet pse është kushëri i dikujt. Ne nuk ua kemi ndaluar të gjithë kushërinjve që të aplikojnë, nuk mund ta marrë një vendim që t’ua ndalojë aplikimin”, deklaroi ai.

Kurti theksoi se dallimi me qeverisjet e kaluara qëndron te mënyra e ushtrimit të pushtetit, duke shtuar se problemet me nepotizmin kanë nisur nga nivelet më të larta institucionale.

“Në këtë ndërtesë problemet kanë nisur në krye”, u shpreh ai.

Për të ilustruar qëndrimin e tij, kryeministri në detyrë tha se asnjë anëtar i familjes së tij nuk është pjesë e administratës qeveritare.

“Asnjëri prej dy vëllezërve të mi nuk kanë hyrë kurrë këtu që katër vjet. Asnjë Kurti nuk e keni këtu, as Tahiri nga mbiemri i nënës time”, deklaroi Kurti, duke insistuar se familjarët e tij nuk kanë përfituar pozita në institucionet shtetërore gjatë mandatit të tij.

Të Ngjashme