Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorët Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj në 27-vjetorin e rënies së tyre.
Në një mesazh publik, Kurti tha se sot në Marinë të Skenderajt u nderuan dy dëshmorët që ranë heroikisht më 30 maj 1999 në fshatin Arllat, gjatë përpjekjeve për të mbrojtur dhe strehuar civilët e rrethuar nga forcat serbe.
Ai theksoi se ata u vranë në kohën kur, sipas tij, forcat serbe po kryenin spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Dy luftëtarë nga familje patriotike, Rasimi e Ragipi u bënë dëshmorë të lirisë që e fituam dy javë pas rënies së tyre dhe gjaku i tyre ndodhet në themelet e shtetit që kemi ndërtuar”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se nderimi dhe përkujtimi i tyre mbetet obligim për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, duke përfunduar mesazhin me: “Lavdi dhe nderime të përjetshme dëshmorëve të kombit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”./teve1.info/
