Lajme

Kurti: Radoiçiç i sanksionuar nga perëndimi, udhëhoqi sulmin në Manastirin e Banjskës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoçiç se udhëhoqi sulmet terroriste ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Përmes një postimin në X, Kurti thotë se shumica e grupeve minoritare kanë shumë parti politike, ndërsa serbët e Kosovës kanë vetëm një, pra Listën Serbe të cilën e kontrollon vetë Serbia. Sakaq, kreu i qeverisë kosovare akuzon zv.kryetarin e kësaj partie, Radoçiç i cili është një “kriminel i sanksionuar nga SHBA dhe Britania”, se luajti një rol udhëheqës në sulmet terroriste mëngjesin e së dieles.

“Shumica e grupeve minoritare kanë shumë parti politike. Por Beogradi lejon grupin më të madh, serbët, të kenë vetëm një, të cilin e kontrollon. Zëvendëspresidenti i asaj partie, Milan Radoicic, një kriminel i sanksionuar nga SHBA dhe Britania luajti një rol udhëheqës në sulmet terroriste të kësaj jave”, shkroi Kurti.

Më tej, Kurti ka replikuar në postimin e tij duke thënë se shqetësimet për të drejtat e serbëve nuk janë të bazuara mirë nëse ata kërkojnë pluralitet politik dhe nevojën për përfaqësim nga kriminelët e sanksionuar nga perëndimi.

“Shqetësimet për të drejtat e serbëve nuk janë të bazuara mirë nëse ata injorojnë të drejtën për pluralitet politik dhe nevojën për përfaqësim të lirë nga kriminelët e sanksionuar nga perëndimi, të cilët janë përfshirë në vrasjen e policëve dhe terrorizimin e njerëzve që duhet të përfaqësojnë”, u shpreh kryeministri i Kosovës.