Lajme

Kurti: Shqiptarët në Amerikë po e ruajnë identitetin dhe gjuhën shqipe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në diasporë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Në një deklaratë, Kurti ka thënë se dashuria për Amerikën dhe ruajtja e lidhjeve me vendin e origjinës mund të bashkëjetojnë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe te brezat e rinj.

“Ruajtja e gjuhës shqipe është një nga përgjegjësitë më të mëdha ndaj brezave të ardhshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe organizimin për herë të parë të “Albanian Festival” në Staten Island të New York-ut, ku komuniteti shqiptar u mblodh përmes muzikës dhe ushqimeve tradicionale shqiptare.

Sipas Kurtit, aktivitete të tilla shërbejnë për të afruar gjeneratat shqiptare në diasporë, duke bashkuar ata që kanë emigruar ndër vite me brezat e lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara.

Kurti ka theksuar gjithashtu kontributin e shqiptarëve në jetën e New York-ut, duke përmendur sukseset e tyre në fusha të ndryshme, përfshirë biznesin, mjekësinë, teknologjinë, arsimin, administratën dhe shërbimin publik.

Ai ka vlerësuar në veçanti rolin e komunitetit shqiptar në SHBA në raport me Kosovën.

“Për Kosovën, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë shumë më tepër se një diasporë. Ka qenë zë i fuqishëm, mbështetje e vazhdueshme dhe urë lidhëse me Amerikën”, ka thënë Kurti./teve.info/

Të Ngjashme