Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Senatit të Francës, Gérard Larcher, në prag të nisjes së Forumit të Paqes në Paris.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit shprehu mirënjohjen për kontributin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për vendin.
Ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, zhvillimin ekonomik, reformat në drejtësi, arsim e administratë publike, si dhe projektet infrastrukturore.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes franceze për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat në BE dhe anëtarësimit në NATO.
Postimi i plotë:
Në prag të nisjes së Forumit të Paqes në Paris, sonte u nderuam me pritjen nga Presidenti i Senatit, Gérard Larcher, të cilit i shpreha mirënjohjen për rolin e Republikës së Francës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Republikës sonë.
Biseduam për stabilitetin e plotë insitucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqëndruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.
Krahas angazhimit për reforma posaçërisht në drejtësi, arsim e administratë publike, folëm për përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të shtetit tonë. Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçqë vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm. Roli mbështetës i Francës për avancimin e Republikës sonë në këtë proces është i rëndësishëm, sikurse në atë të anëtarësimit në NATO, që do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës.
