Lajme

Kurti takon O’Brienin: Amerika mike dhe aleate e çmuar e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot  me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në kuadër të Forumit Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicës.

Përmes një postimi në platformën X Kurti tha se O’Brien e ka vlerësuar përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, dhe ka diskutuar për përmbajtjen e Kosovës “përballë sulmeve dhe provokimeve”.

Kurti thekson se SHBA është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm.

”Një kënaqësi për t’u takuar me O’Brien pas mbërritjes në Davos. Ai shprehu vlerësimin për progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe pranoi përmbajtjen tonë përballë sulmeve dhe provokimeve. SHBA është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm”, ka shkruar Kurti në platformën “X”, të martën.

Përveç Kurtit, në Davos po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim Kurti – Vuçiq në margjina të forumit.

Një ditë më herët, Lajçak është takuar në Davos me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, shkruan REL. Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur procesin e dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, qysh më 2011.

Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo