Lajme

Kurti: Urojmë që paralajmërimet opozitare për hedhje poshtë të Ligjit për Fondin Sovran, të dalin të pasakta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krijimi i Fondit Sovran është jetike për rritjen ekonomike dhe shtimin e investimeve.

Ai ka thënë se po bëhen një vit që Ligji për Fondin Sovran po qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese duke uruar  që paralajmërimet e opozitës se ky ligji do të rrëzohet nga Kushtetuesja të mos dalin të sakta.

“Urojmë që paralajmërimet opozitare që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për Fondin Sovran të Kosovës, sipas informacioneve të tyre të brendshme të mos dalin të sakta. Urojmë qe të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së  Pajustifikueshme, Ligjin për Këshillin Prokurorja të Kosovës, Ligjin për çmimin tavan të produkteve bazë, ndër të tjera”, ka thënë Kurti në adresimin e tij në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, raporton teve1.info.

Ai ka thënë se çdo ditë që kalon pa themelimin e këtij fondi është kohë e humbur.

“Muajin tjetër bëhet një vit që kur ligji është në sirtarë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë që po kalon është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme pasi po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike. Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës investimve”, ka thënë Kurti.