Lajme

Kush e donte të vdekur 39-vjeçarin shqiptar? Vrasja në Spanjë ngre dyshime për një krim me porosi

Viktima u qëllua në orët e paradites pranë një klubi padeli në Orihuela Costa. Hetuesit e Gardës Civile dyshojnë për një vrasje me pagesë, të lidhur me krimin e organizuar…

Një 39-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë me armë zjarri në Playa Flamenca, në zonën Orihuela Costa të provincës Alicante, në Spanjë. Ngjarja ndodhi në orët e paradites, pranë fushave të një klubi padeli, në prani të sportistëve dhe dëshmitarëve të tjerë.

Sipas mediave spanjolle, autori iu afrua viktimës dhe qëlloi nga një distancë e afërt. Menjëherë pas sulmit, ai u largua me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një skuter elektrik.

Mënyra e ekzekutimit ka ngritur dyshime te hetuesit e Gardës Civile se bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar dhe të kryer me pagesë. Autoritetet po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të ngjarjes me rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në këtë pjesë të Spanjës.

Vrasja e 39-vjeçarit ka rikthyer vëmendjen te prania e organizatave kriminale me origjinë nga Ballkani në bregdetin spanjoll. Sipas medias spanjolle, disa prej këtyre rrjeteve luajnë rol të rëndësishëm në organizimin e transportit dhe shpërndarjes së sasive të mëdha të kokainës në rajonin e Mesdheut.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende se vrasja e shtetasit me origjinë shqiptare lidhet drejtpërdrejt me ndonjë organizatë të caktuar kriminale. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e motivit dhe të personave që mund të kenë organizuar sulmin.

Provinca e Alicante konsiderohet nga autoritetet spanjolle një territor me rëndësi strategjike për veprimtarinë e organizatave kriminale ndërkombëtare.

Pozicioni gjeografik i Costa Blanca, lidhjet rrugore përmes autostradës A-7, afërsia me portet detare dhe qarkullimi i lartë në aeroporte krijojnë kushte të favorshme për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Sipas analizës së medias spanjolle, karakteri ndërkombëtar i zonave të banuara në Orihuela Costa, Torrevieja dhe Benidorm u mundëson anëtarëve të organizatave kriminale të qëndrojnë pa tërhequr vëmendje.

Një tjetër shqetësim për autoritetet lidhet me përdorimin e investimeve në pasuri të paluajtshme luksoze dhe biznese lokale për pastrimin e parave që burojnë nga trafiku i drogës.

Përplasjet mes grupeve kriminale dhe vrasjet me pagesë

Hetuesit spanjollë identifikojnë disa motive që qëndrojnë pas vrasjeve të porositura në provincën e Alicante.

Një prej tyre lidhet me grabitjen ose zhdukjen e ngarkesave të kokainës dhe hashashit. Në këto konflikte, sipas raportimit, përfshihen rrjete kriminale nga Evropa Lindore, grupe shqiptare dhe organizata kolumbiane, të cilat përplasen me ndërmjetës ose persona përgjegjës për ruajtjen e drogës.

Një tjetër motiv lidhet me kontrollin e territoreve dhe mosmarrëveshjet për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në këtë kategori, media përmend organizata kriminale nga Ballkani, rrjete suedeze dhe nordike, si dhe grupe nga Afrika e Veriut.

Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e autorëve të vrasjeve me pagesë që udhëtojnë nga vende të tjera për të kryer sulme të shpejta.

Në disa raste, autorët përdorin automjete të lehta ose skuterë elektrikë për t’u larguar nga vendngjarja brenda pak minutash.

Të Ngjashme