Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës. Në dhjetor 2025 u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion.
E lindur në Prishtinë më 1953, ajo përfundoi në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare për teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb, më 1984. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës, me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978 filloi angazhimin akademik në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Puna e saj mësimore dhe kërkimore përfshin menaxhmentin, ndërmarrësinë dhe vendimmarrjen në biznes.
Krahas karrierës akademike, Shiroka-Pula ka mbajtur edhe funksione politike. Nga viti 2008 deri më 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Më pas, gjatë periudhës 2011–2014, ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Pas luftës u angazhua edhe në shoqërinë civile, në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Sipas biografisë së saj, ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit dhe në Universitetin e Arizonës.
Pula-Shiroka është anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga viti 2016. Në krye të Akademisë pasoi akademikun Mehmet Kraja.
