Lajme

Kush ishte polici i parë i Kosovës? – Rrëfimi i padëgjuar i ish-ushtarit të UÇK-së

Bajram Gashi, me numër identifikues 00001.

Është ky kadeti i parë i Shkollës së Shërbimit Policor të Kosovës.

Madje, Bajram Gashi u bë edhe ndër kadetët e parë që diplomuan në shkollën e policisë.

Ish-ushtari i UÇK-së, 27 vjet pas, i ka të freskëta kujtimet se përse vendosi ta bartë uniformën policore.

“Atëherë vendosëm të konkurronim të gjithë ne çka kemi qenë në Polici Ushtarake, në Zona, Brigada të gjithë konkurruam çka ishim në Zonën e Pashtrikut dhe pas konkurrimit i kryem ato testet që na ftuan për teste ato çka duhej plotësuar formularët e të gjitha testimet dhe pas kësaj na ftuan në datën e caktuar 6 shtator të paraqiteshim në Vushtrri për trajnim për polic të Kosovës”, deklaroi Bajram Gashi.

Gashi tregon se ishte i privilegjuar që ai ishte polici i parë i pranuar në atë kohë.

“Mu duk si një befasi e dorës së parë. Mirëpo krejt çka di, shkaktonte pak huti te unë, i falënderova ata që më informuan dhe urova si vetmëvetë të shkojë mbarë, të jetë Polici me të cilën do krenohej edhe Kosova edhe Evropa që e themeluan”, tha Gashi.

Si gjeneratë e parë e Policisë, për Gashin dhe kolegët e tjerë sfidat ishin të mëdha.

Çdo gjë po ndërtohej nga zero.

“Ka qenë përballja me sfidat që mund të dalin se një vend kur del pas lufte është në gjendje më të vështirë sesa në luftë se paslufta është ajo që e formulon, përmbledhë tërë atë që kryhet gjatë luftës… Por edhe popullata na ka pritur me një farë kureshtje, rezerve por edhe me një dashuri të madhe, na përkrahnin dhe e shprehnin njëfar simpatie ndaj nesh”, vlerësoi Bajram Gashi.

Punën e policisë sot, Gashi e vlerëson lart. Ai është krenar që institucioni që i shërbeu dikur, mbetet një prej institucioneve më të besueshme në vend.

Të Ngjashme