Të dielën (13 shtator) u konstitua kuvendi dhe formua Qeveria Kurti 4, me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa të hënën dhe të martën edhe kushtetueshmëria e Kuvendit edhe Qeverisë u dorëzua në Gjykatë Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës, të hënën ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit.
Kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
Tahiri tha se PDK-ja kërkon që Gjykata Kushtetuese të japë një përgjigje përfundimtare lidhur me shkeljet që, sipas saj, kanë përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt”, tha Tahiri.
Në kërkesë kontestohen vendimi i 9 shtatorit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI.
PDK kërkon që Kushtetuesja të vlerësojë këto vendime dhe të përcaktojë pasojat juridike të shkeljeve eventuale kushtetuese.
Ndërsa, të nesërmen, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda, kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës lëndën e dytë me radhë për vlerësim kushtetues.
Këtë herë, PDK ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pasoja, efekte pas afatit për Kuvendin dhe formimi i Qeverisë

Vullnet Bugaqku
Vullnet Bugaqku nga KDI ka komentuar për “Bota sot” kërkesën e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke thënë se pasojat e mundshme të mosrespektimit të afatit kushtetues duhet të përcaktohen nga vetë Gjykata.
Sipas tij, Kushtetuesja duhet të sqarojë fillimisht se çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese sjell mosrespektimi i afatit për zgjedhjen e organeve dhe konstituimin e Kuvendit.
“E para, duhet të përcaktohet se çfarë pasojash shkakton mosrespektimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e organeve dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pasojat duhet të përcaktohen nga Gjykata Kushtetuese, si në kuptimin ligjor e kushtetues, ashtu edhe në atë politik, nëse ajo vlerëson se mund të vendosen pasoja të tilla”, ka thënë Bugaqku për “Bota sot”.
Ai ka folur edhe për mundësinë që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë se Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë të rregullt për shkak të moszgjedhjes së njërit prej nënkryetarëve.
“Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi nuk është i konstituuar, për shkak se nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i dytë, ose nëse konstaton se në një rast të mëparshëm Kuvendi është konsideruar i konstituuar pa u zgjedhur nënkryetari që i takon një partie tjetër parlamentare, atëherë Gjykata mund të përcaktojë që procesi të fillojë nga zero dhe të përsëritet aspekti i konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Bukaqku ka theksuar se në një situatë të tillë deputetëve mund t’u kërkohet që të përsërisin procesin e konstituimit, duke përfshirë zgjedhjen e nënkryetarëve të të gjitha grupeve parlamentare.
Ndërkohë, sipas tij, Kushtetuta nuk përcakton në mënyrë të qartë se çfarë ndodh me vendimmarrjen e Kuvendit nëse afati 30-ditor për konstituim tejkalohet.
“Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton në mënyrë eksplicite se, në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, mandati i tij bëhet i paligjshëm ose jo legjitim. Prandaj, kjo mbetet një çështje e interpretimit hipotetik, sepse një pasojë e tillë nuk është e përcaktuar në mënyrë eksplicite as në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Bugaqku.
Duke komentuar kërkesën për masë të përkohshme, juristi vlerëson se një masë e tillë mund të ndikojë në aktivitetin e mëtejshëm jo vetëm të Kuvendit, por edhe të Qeverisë së Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se nëse Kuvendi vazhdon punën dhe merr vendime, ndërsa më vonë Gjykata Kushtetuese konstaton se konstituimi nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mund të lindin pasoja për vendimet e marra gjatë kësaj periudhe.
“Masa e përkohshme kërkohet për të parandaluar ose evituar pasojat dhe dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen nëse Kuvendi vazhdon aktivitetin e tij. Mund të ndodhë që Kuvendi të mblidhet këtë javë, të zgjedhë Presidentin, të miratojë ligje, të ndërmarrë procese apo procedura që kanë të bëjnë me emërimin e zyrtarëve të lartë, ndërkohë që më pas mund të konstatohet se këto veprime kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë ai.
Sipas Bukaqkut, në një rast të tillë mund të krijohet një varg pasojash juridike.
“Ekziston një varg pasojash që, në rast se konstatohet se Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë kushtetuese, mund të kenë efekt zinxhir dhe të çojnë në vlerësimin se edhe veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga Kuvendi kanë qenë antikushtetuese”, ka deklaruar Bugaqku.
Ai ka shtuar se për këtë arsye masa e përkohshme mund të shërbejë për të parandaluar marrjen e vendimeve që më pas do të mund të kërkonin rishikim apo anulim.
“Besoj se një masë e tillë është e domosdoshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i çfarëdo vendimi nga Kuvendi që më pas mund të duhet të anulohet, si pasojë e një konstatimi se Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë të rregullt”, ka theksuar ai.
Në fund, Bukaqku ka folur edhe për kontestimin e paralajmëruar të vendimit për zgjedhjen e Qeverisë, duke thënë se edhe kjo çështje pritet të marrë një dimension të rëndësishëm kushtetues.
“Çdo vendimmarrje apo çdo veprim që zhvillohet, qoftë në Kuvend apo në Qeveri, përderisa nuk ka një masë të përkohshme, mund të kontestohet më vonë në Gjykatën Kushtetuese nga palët e autorizuara. Prandaj, edhe çështja e Qeverisë, më duket se tani e tutje do të marrë kahje drejt interpretimit kushtetues”, ka përfunduar Bugaqku.
Vendimi tash është në duart e Kushtetueses

Blerim Burjani
Kurse, juristi Blerim Burjani, thotë se tash vendimmarrja kryesore i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të përcaktojë nëse procedurat e ndjekura deri më tani kanë qenë në përputhje me afatet dhe kërkesat kushtetuese.
“PDK-ja konteston edhe konstituimin e Kuvendit, edhe atë të Qeverisë. Ajo konteston edhe faktin që Kuvendi nuk është zgjedhur dhe konstituuar në kohë legjitime, apo brenda afateve kushtetuese. Pra, tash Gjykata e ka në dorë se çfarë do të ndodhë më tutje dhe nëse do të hidhet poshtë apo jo konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.
Sipas tij, situata politike tashmë është karakterizuar nga përplasje të mëdha ndërmjet partive, ndërsa një rëndësi të veçantë do të ketë vendimi për masën e përkohshme të kërkuar nga PDK-ja.
“Tash dihet se ka një përplasje të madhe ndërmjet partive, por ajo që mbetet për t’u parë është se a do ta pranojë Gjykata Kushtetuese masën e përkohshme. Nëse kjo ndodh, atëherë stopohet puna e mëtejshme e Kuvendit dhe kjo do të kishte pasoja edhe në funksionimin institucional”, është shprehur ai.
Burjani vlerëson se zhvillimet aktuale mund ta rikthejnë në qendër të vëmendjes mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sidomos nëse ndryshojnë rrethanat politike dhe institucionale.
“Tashmë po bëhet e ditur se duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, kur ndryshojnë rrethanat aktuale politike. Mendoj se njëherë po përballemi me gjëra të paparashikueshme që mund të ndodhin”, ka deklaruar Burjani.
Në fund, ai thekson se zhvillimet e ardhshme duhet të orientohen drejt krijimit të institucioneve funksionale.
“Kosovës i duhen institucione valide, kredibile dhe efikase në veprim. Tash duhet të shihet se si do të rrjedhin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe çfarë pasoja do të kenë ato për situatën politike dhe institucionale”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.
