Lajme

Ky është Entjan Nikulaj, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmë në Lezhë

Personi që shihni në foto është 40-vjeçari, Entjan Nikulaj, i cili u ekzekutua mbrëmë rreth orës 21:30 me breshëri plumbash në rrugën “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”.

Për fat të keq 40-vjeçari, i cili u qëllua teksa ishte brenda në makinë nuk i mbijetoi plagëve të marra. Pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekëso, Entjan Nikulaj ndërroi jetë mbrëmë në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Entjan ose ndryshe Eno Nikulaj, është kushëri (djalë xhahxai) i Ardian Nikulajt, i cili u vra më 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin. Ky i fundit u vra si pasojë e hasmërisë 26-vjeçare mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj, raporton newsbomb.al.

Ndërkohë, më 19 Korrik po të këtij viti, i ekzekutuar me armë zjarri në Lezhë mbeti Nikolin Lekstakaj. Sipas burimeve për mediat, Entjan Nikulaj, ishte një prej personave të dyshuar në këtë ngjarje.

Çfarë dimë deri tani për autorët e vrasjes së Entjan Nikulajt

Sipas informacioneve paraprake dyshohet se autorët janë larguar me një makinë tip BMW ngjyrë gri, me targa të vjedhura, AB 138 HT.
Kjo targë është raportuar e vjedhur më 29 nëntor në Tiranë, në zonën e Kombinatit.

Vetëm pak kohë pas kësaj ngjarje, pranë aeroportit në Rinas u gjet në flakë një automjet, i cili dyshohet se u përdor nga autorët e dyshuar në atentatin e mbrëmjes së kaluar. Ka dyshime se autorët janë larguar në drejtim të Kurbinit pasi kanë qëlluar ndaj 40-vjeçarit.

Shkaqet e këtij atentati nuk dihen ende. Por dyshohet se ekzekutimi i Entjan Nikulajt mund të ketë ardhur si pasojë e hakmarrjes, megjithatë deri më tani policia ka qenë e rezervuar për të dhënë një pistë konkrete.

Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Ndërkohë, vijon intensivisht kontrolli i zonës.