Lajme

“Ky që është sot s’do e mendoja kurrë”, Fevziu rrëfen takimin e parë me Ramën

Gazetari Blendi Fevziu ka rrëfyer jetën e 39 personave të shpalosur në librin e tij më të fundit “Takimet e mia me…”, ku një prej tyre ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.

Për këtë të fundit, Fevziu thotë se ka qenë një personazh interesant në Shqipërinë e fund viteve ’80 dhe dukej atipik. Në një cep të librit gazetari thotë se ka shkruar dhe për momentin kur e ka takuar për herë të parë Ramën dhe bisedat që ka zhvilluar me të. Ai thekson se nëse dikush atëhere do e pyeste mbi të ardhmen e Ramës, vetëm kjo që ka sot, nuk do i kishte shkuar kurrë ndër mend.

“Te Rama kam një pjesë, ku bëj dhe një lloj rivlerësimi për të: pjesa kur flas për Ramën dhe raportin e tij më të shkuarën. Ai ishte një personazh shumë interesant në Shqipërinë e fund viteve ’80. Dukej atipik. Kam pjesën kur e kam takuar për herë të parë personalisht, dhe them që: nuk kujtoj mirë atë takim, ishte një diskutim sa politik aq dhe letrar. U fol për Berishën dhe PD, aq sa u diskutua për Kadarenë dhe Martin Camajn. Një gjë më bëri shumë përshtypje them, Edi Rama ishte një njeri sa ambicioz dhe njohës i mirë i eventeve politike. Dukej që e kishte ndjekur çdo gjë me vëmendje. Nëse dikush në atë moment do më pyeste se cila do të ishte e ardhmja e tij, vetëm atë që ka sot nuk do më shkonte kurrë nëpër mend. Do ta mendoja më shumë një hero cinik që tallej me provincializmin dhe falsitetin, se sa ulur në fronin e mbretërisë së falsitetit politik që Shqipëria prodhoi në 30 vitet e fundit.

Është transformimi i atij personazhi që dilte me poturet e gjera që në atë kohë, që  e kishte tendencë që dilte kundër normalitetit, kundër standardit, që befas u kthye në mbretin e standardit më bazik që Shqipëria ka prodhuar”, tha Fevziu në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”.