Aktori Çun Lajçi ka ngritur pikëpyetje lidhur me, siç thotë ai, përkrahjen e pabarabartë publike ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë gjykuar ose po gjykohen në Hagë.
Në një reagim në Facebook, Lajçi ka kritikuar faktin që për disa prej të akuzuarve organizohen protesta dhe shprehet mbështetje e gjerë publike, ndërsa emra të tjerë, sipas tij, janë lënë pothuajse në harresë.
Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë Salih Mustafën, i njohur si komandant Cali, dhe Pjetër Shalën, duke pyetur përse nuk pati mobilizim të ngjashëm publik edhe në mbështetje të tyre.
“Pse për Calin e Pjetër Shalën s’u organizuan kurrë protesta para gjyqit në Hagë? Ç’është ky selektim? Kjo ndamje?”, ka shkruar Lajçi.
Aktori ka pyetur gjithashtu nëse Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerët janë më pak të rëndësishëm se Hashim Thaçi, duke kërkuar që kontributi i secilit të vlerësohet pa dallime.
“A s’asht Rexha po aq i rëndësishëm sa Hashimi? A s’asht Kadria po aq trim sa Cali? Po Jakupi, pse anashkalohet? A s’ishte faktor në Shtabin e UÇK-së?”, ka pyetur ai.
Lajçi ka pranuar se reagimi i tij mund të shkaktojë kundërshtime dhe sulme, por ka thënë se nuk mund të heshtë për njerëzit që, sipas tij, po harrohen.
“Si të hesht për çlirimtarët që harrohen? Si të hesht për çlirimtarët, kur Kosova po shkërmoqet për së gjalli e ne po zgjedhim kë me kujtue e kë me harrue?”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Lajçi ka theksuar se kontributi dhe heroizmi nuk duhet të maten me numrin e përmendjeve në tribuna, por me gatishmërinë për të mos harruar asnjërin prej atyre që kontribuuan në luftë.
“Heronjtë nuk maten me atë se sa herë përmenden nëpër tribuna, por me atë se sa herë ne kemi guximin të mos i harrojmë”, ka përfunduar Lajçi.
Qëndrimet e shprehura në reagim janë vlerësime personale të aktorit.
