Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe i ka ofruar mbështetje nënpresidentes, Kamala Harris për t’i hyrë garës.
Përmes një deklarate të lëshuar në rrjetet sociale, Biden ka thënë se beson që tërheqja nga gara është në interesin më të mirë për Partinë Demokratike dhe SHBA-në, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht.
Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president”, ka thënë Biden, duke paralajmëruar që do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.
“E besoj sot atë që e kam besuar gjithmonë: Nuk ka asgjë që nuk mund të bëjë Amerika kur jemi të bashkuar. Duhet të rikujtojmë që jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Biden.
Ai ka thënë se i ofron mbështetje të plotë nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, për t’u bërë e nominuara e demokratëve për presidente.
“Vendimi im i parë si i nominuar i partisë më 2022 ka qenë kur zgjodha Kamala Harrisin për pozitën e nënpresidentes. Ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë”, ka thënë ai.
“Demokratë, është koha të bashkohemi dhe të mundim Trumpin. Le ta bëjmë këtë”, ka thënë Biden.
lokimagazine