Si rrallëherë më parë, e enjtja ka qenë një ditë relativisht e qetë, për sa u përket incidenteve kriminale në Kosovë.
Në 24 orët e fundit, janë regjistruar vetëm 8 raste të tilla, sipas njoftimeve nga policia.
Një ditë më parë, të mërkurën, vetëm në rajonin e Prishtinës janë evidentuar 9 incidente të tilla. Aq janë evidentuar edhe të martën.
Të enjten ndërkaq, në këtë pjesë të Kosovës u raportua vetëm një rast. Ngjashëm ishte edhe për rajonin e Gjilanit, Ferizajt e Pejës. Prizreni dhe dy Mitrovicat ishin krejtësisht të qetë, pasi në to policia regjistroi zero raste të incidenteve kriminale me rëndësi.
Pak më shumë punë doli pjesëtarëve të forcave të rendit në rajonin e policisë kufitare dhe të Gjakovës, të cilëve iu desh të merren me nga dy incidente.
Në këtë qytet, 2 persona janë arrestuar nën dyshimin se i kishin dhënë para me fajde një qytetari. Gjatë kontrollit të shtëpive të tyre, policia sekuestroi dëshmi që lidhen me rastin dhe disa fishekë. Të dy janë dërguar në mbajtje.
Po në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin se ushtroi dhunë psikike ndaj një gruaje. Edhe ai është dërguar në mbajtje.
Një rastin e vetëm në Ferizaj, që ishte dhunë në familje, u raportua se një shtetas i huaj dyshohet se dëmtoi orenditë e shtëpisë dhe kanosi 2 gra. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, bën të ditur policia.
Rasti “hasret” në rajonin e Pejës ndodhi në Istog, ku një grua mori trajtim mjekësor pasi dyshohet se pësoi dhunë nga një burrë. I dyshuari u intervistua dhe u lirua në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, policia intervistoi 2 persona lidhur me një rast kanosjeje dhe konfiskoi një thikë. Njëri nga të dyshuarit u dërgua në mbajtje, ndërsa tjetri u lirua në procedurë të rregullt.
Incidenti i regjistruar në rajonin e Gjilanit, në fakt, kishte të bënte me një zhvillim që lidhej me një rast të 10 gushtit në këtë komune. Policia arrestoi 2 persona nën dyshimin për veprimtari të paautorizuar me armë, ndërsa një tjetër mbetet në kërkim. Gjatë kontrollit u gjetën 6 pushkë gjuetie, 6 pistoleta, 2 armë të tjera dhe 836 fishekë. Të arrestuarit u liruan pas intervistimit.
Policia kufitare raportoi, në rastin e parë, për konfiskimin e 3 armëve të gjuetisë me leje të skaduara dhe 49 fishekëve në Grykën e Deçanit. I dyti u regjistrua në Leposaviq, ku një person u dërgua në mbajtje nën dyshimin se kaloi kufirin përmes rrugëve ilegale. Në automjetin e tij u gjetën cigare, ndërsa malli u dërgua për procedim doganor.
Megjithatë, sipas statistikave të përgjithshme të raportit policor, ku përfshihen edhe raste tjera pos incidenteve kriminale, janë shënuar të kenë ndodhur 16 aksidente trafiku me të lënduar dhe 31 vetëm me dëme materiale. Nuk është raportuar asnjë aksident me fatalitet. Policia ka shqiptuar 2,449 tiketa trafiku. Gjithsej 19 persona janë arrestuar, 9 janë dërguar në mbajtje dhe 2 në vuajtje të dënimit ndërsa që nuk ka pasur persona në ndalim policor.
