Lajme

LDK kundërshton rritjen e çmimit të rrymës: Është e pajustifikueshme, goditje për qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar paralajmërimet për rritje të çmimit të rrymës prej 15 për qind, duke kritikuar ashpër edhe qeverinë të cilën e ka cilësuar si të paaftë në menaxhimin e këtij sektori.

Nga kjo pari është thënë se vendimi për rritje të këtij çmimi është i papranueshëm, dhe se pushteti po i godet qytetarët duke rritur koston e jetesës.

‘Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike është jo vetëm e padrejtë dhe e pajustifikueshme, por dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm. Për më tepër, kjo Qeveri po e përdor ZRrE-në si instrument për t’ua imponuar qytetarëve koston e dështimeve të saj qeverisëse dhe mungesës së vizionit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik’’, thuhet mes tjerash në reagimin e LDK-së.

TS Poll - Loading poll ...

Tutje, nga kjo parti është deklaruar edhe se, rritja e çmimit të energjisë është goditje e standardit jetësor të qytetarëve.

Komunikata:
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe kundërshtimin e pakompromis ndaj paralajmërimit të fundit të ZRrE-së për rritjen 15% të çmimit të energjisë elektrike. Kjo përbën rritjen e tretë të çmimeve gjatë mandatit të kësaj Qeverie, e cila ka dëshmuar paaftësi të theksuar në menaxhimin e sektorit energjetik dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Ky vendim i papranueshëm është dëshmi e qartë e mungesës së ndjeshmërisë sociale dhe politike të këtij pushteti, i cili në vend të ndihmës për qytetarët, po i godet ata sistematikisht me rritje të kostos së jetesës. Në katër vitet e fundit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me inflacion të lartë, me ngritje çmimesh në të gjithë sektorët jetikë, ndërkohë që pagat kanë stagnuar dhe fuqia blerëse është rrënuar.

Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike është jo vetëm e padrejtë dhe e pajustifikueshme, por dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm. Për më tepër, kjo Qeveri po e përdor ZRrE-në si instrument për t’ua imponuar qytetarëve koston e dështimeve të saj qeverisëse dhe mungesës së vizionit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

LDK e konsideron këtë rritje të çmimit si goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor të qytetarëve. I bëjmë thirrje ZRrE-së që të mos bëhet vegël e politikave të gabuara të pushtetit dhe të rikthehet në funksionin e saj të vërtetë: mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe transparent të energjisë.

Kosova meriton një qeverisje kompetente dhe me vizion, jo një pushtet që e trajton popullin si barrë. LDK do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike çdo politikë që rëndon padrejtësisht mbi ta.