Pak ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka zgjedhur Kryesinë e re të partisë. Përbërja e Kryesisë së re të LDK-së, krahasuar me kryesinë paraprake, ka pësuar disa ndryshime.
Në mesin e emrave të rinj që i janë shtuar kryesisë janë deputetët e sapozgjedhur, Ermal Sadiku e Ukë Rugova, si dhe gazetari që aderoi në LDK para disa muajsh, Festim Kabashi.
“Kjo përbërje vjen edhe si rezultat i një faze të ndërmjetme organizative, në zbatim të platformës së miratuar nga Kuvendi, e cila parasheh konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve. Në këtë periudhë kalimtare, Kryesia ndërtohet me përfaqësim më të drejtpërdrejtë të drejtuesve të degëve, si bartës të legjitimitetit nga baza, ndërsa standardet e reja organizative do të zbatohen plotësisht në ciklin e ardhshëm të ristrukturimit. Në ditët ne vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Këto ndryshime të LDK-së i kanë komentuar njohësit e ҫështjeve politike.
Kështu, Saim Tahiraj, analisti dhe veprimtari nga diaspora është treguar kritik ndaj këtyre ndryshimeve brenda kësaj partie.
LDK pas Rugovës: kritika të ashpra për drejtimin dhe humbjet e njëpasnjëshme
Që nga ndarja nga jeta e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës është përballur me gabime të përsëritura politike, të cilat, sipas Saim Tahirajt, e kanë sjellë partinë në një gjendje të rëndë dhe të paqëndrueshme.

Saim Tahiraj
Në një prononcim për “Bota sot” ka folur për zhvillimet brenda LDK-së, Tahiraj thekson se mungesa e reflektimit pas humbjeve ka qenë një nga problemet kryesore të lidershipit ndër vite.
“Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës e deri më sot, LDK-ja ka bërë gabime të njëpasnjëshme, të cilat fatkeqësisht e kanë sjellë në këtë gjendje të rëndë politike. Në vend që të nxirrnin mësime nga humbjet dhe dështimet, drejtuesit e njëpasnjëshëm vetëm sa i kanë përsëritur ato,” thotë Tahiraj.
Sipas tij, një model i njëjtë drejtimi është përsëritur nga çdo kryetar i ri, duke krijuar rrethe të ngushta vendimmarrëse dhe duke shmangur reformimin e brendshëm.
“Çdo kryetar që erdhi krijoi rrethin e vet të ngushtë, duke vepruar pothuajse njësoj si paraardhësi – pa reflektim, pa reformë dhe pa përgjegjësi. E njëjta frymë po vazhdon edhe sot,” vijon ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në parti, Tahiraj kritikon edhe mënyrën e formimit të strukturave të reja drejtuese, të cilat i konsideron të imponuara dhe jo produkt të një procesi demokratik.
“E ashtuquajtura ‘kryesi e re’ nuk është produkt i një procesi demokratik dhe bashkues, por më shumë një emërim i dirigjuar që vazhdon traditën e gabimeve të njëpasnjëshme,” thekson ai.
Ai shton se në vend të bashkimit, këto struktura kanë prodhuar përjashtim dhe mungesë vizioni politik.
“Në vend që të ishte moment reflektimi dhe bashkimi, ajo është kthyer në një strukturë përjashtuese, pa kapacitet unifikues dhe pa vizion të qartë politik,” thotë Tahiraj.
Në vazhdim të kritikës së tij, ai flet edhe për përbërjen e re të partisë, duke pretenduar se në pozita drejtuese janë përfshirë edhe figura që më herët kanë qenë kundërshtare të ashpra të LDK-së, ndërsa disa anëtarë me kontribut janë lënë jashtë vendimmarrjes.
“Në këtë përbërje shihen individë që dikur ishin kundërshtarë të ashpër të LDK-së, si dhe të tjerë pa kontribut real, ndërkohë që figura të dëshmuara dhe besnike janë lënë në margjina,” deklaron ai.
Sipas Tahirajt, kjo ka krijuar një praktikë të dëmshme politike brenda partisë.
“Është krijuar një standard i rrezikshëm: sulmo LDK-në, largoju, dëmtoje sa më shumë – dhe më pas kthehu për t’u shpërblyer me poste të larta. Ndërsa ata që qëndruan besnikë dhe punuan me përkushtim, injorohen dhe përjashtohen sistematikisht.”
Ai kritikon gjithashtu, siç thotë, zëvendësimin e meritokracisë me servilizëm brenda strukturave partiake.
“Në vend të meritokracisë, është instaluar servilizmi. Disa individë kanë zgjedhur të jenë vasalë të kryetarit, duke e zëvendësuar mendimin kritik me bindje të verbër,” thekson Tahiraj.
Në përfundim, ai paralajmëron se nëse kjo qasje vazhdon, LDK rrezikon të thellojë rënien e saj politike.
“Nëse kjo qasje vazhdon, LDK-ja nuk do të ringrihet, por do të vazhdojë rrugën e rënies drejt margjinalizimit politik,” thotë ai, duke ngritur edhe një dilemë mbi shkaqet e kësaj gjendjeje:
“A është kjo thjesht paaftësi, apo një projekt i qëllimshëm i shtyrë nga interesa të caktuara që synojnë dobësimin përfundimtar të saj?”
Gani Qarri: LDK në krizë të thellë, Abdixhiku pa drejtim të qartë
Po ashtu, edhe analisti politik Gani Qarri ka kritikuar ashpër gjendjen aktuale në Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e cilësuar atë si një parti në krizë të thellë politike dhe organizative.

Gani Qarri
“Pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Isa Mustafa mori përgjegjësi dhe dha dorëheqje. Ndërsa sot, pas një tjetër rezultati të dobët, nuk shohim asnjë reflektim”, deklaron Qarri.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” e cilësoi lidershipin aktual si të paqartë dhe pa orientim politik.
“Lumir Abdixhiku po ndjek një politikë ‘as mish-as peshk’, duke refuzuar bashkëpunimin me të gjitha partitë, qoftë në pozitë apo opozitë”, shprehet ai.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në parti kanë thelluar përçarjet e brendshme.
“Përjashtohen aktivistë të devotshëm si Arben Gashi, ndërsa avancohen figura të paqëndrueshme politikisht si Doarsa Kica-Xhelili”, thotë Qarri.
Ai shton se edhe përbërja e kryesisë nuk premton ndryshim.
“Në kryesi mbeten emra të konsumuar si Lutfi Haziri dhe Hykmete Bajrami, të cilët nuk i sjellin asnjë vlerë të re partisë”, deklaron ai.
Qarri paralajmëron për pasoja edhe më të rënda në të ardhmen.
“Pa një reformim të thellë, LDK do të pësojë humbje edhe më të mëdha dhe do të vazhdojë të bjerë në mbështetje elektorale”, thekson ai.
Ai rikujton se partia dikur ishte shtyllë e shtetformimit.
“LDK-ja e Ibrahim Rugova ishte simbol i stabilitetit dhe demokracisë, ndërsa sot po humb këtë identitet”, shprehet Qarri.
Në fund, ai kritikon mungesën e përgjegjësisë politike pas zgjedhjeve të fundit.
“Rezultati i 28 dhjetorit ishte ndër më të dobëtit në histori, por askush nuk dha dorëheqje. Përkundrazi, po thellohen ndasitë dhe po dobësohet edhe më shumë partia”, përfundon ai për “Bota sot”.
