Lajme

LDK merr pjesë në seancën konstituive të mërkurën

Jehona Lushaku, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një prononcim pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se si grup parlamentar kanë vendosur të marrin pjesë në seancën konstituive, e cila do të mbahet të mërkurën.

“Vendosëm si grup të marrim pjesë në këtë seancë dhe të kontribuojmë në konstituimin e Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e tyre. Prandaj, ne kemi bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që është e mundur dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti. Për këtë arsye, vendosëm të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’u dhënë institucioneve të Kosovës funksionalitetin e nevojshëm”, tha Lushaku në deklarim për media.

Tutje, ajo bëri të ditur se nuk është diskutuar çështja e presidentit.

“Çështja e presidentit nuk është diskutuar, sepse nuk është temë. Temë është seanca dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Ajo, lidhur me faktin nëse seanca është kushtetuese apo jo, tha se edhe kjo temë do të trajtohet.

“Të gjitha këto janë tema që do t’i vendosim. Ne jemi për kushtetutshmëri, por jemi edhe për konstituimin e institucioneve dhe funksionalitetin e shtetit”, u shpreh tutje ajo.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur të hënën në selinë e partisë.

Deputetët e LDK-së diskutuan për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të mërkurën.

Të Ngjashme