Lajme

LDK në krizë të re? Kërkohet dorëheqje dhe ndryshim i madh brenda partisë

Për dallim nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar një rritje prej rreth 5 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit, megjithatë ky rezultat është vlerësuar si më i ulët sesa pritshmëritë e mëhershme si brenda partisë ashtu edhe në opinionin publik.

Pritjet për LDK-në ishin që ajo të kalonte pragun prej 20 për qind dhe të pozicionohej si forca e dytë politike në vend, sidomos pas zhvillimeve të fundit dhe rikthimit të Vjosa Osmanit në radhët e saj, një lëvizje që ishte parë si potencial për rritje më të madhe elektorale.

Megjithatë, rezultati final nuk ka reflektuar këto pritshmëri, duke ngritur diskutime të reja mbi strategjinë dhe drejtimin politik të partisë.

Sipas analizave dhe reagimeve nga ish-zyrtarë dhe veprimtarë politikë, ky rezultat tregon se LDK ende po përballet me sfida në konsolidimin e elektoratit dhe në rikthimin e besimit të plotë të votuesve.

Ndërkohë, theksohet se zhvillimet e ardhshme politike dhe mundësitë për koalicione do të jenë vendimtare për rolin e LDK-së në skenën politike të Kosovës.

Salihaj: Pritjet për LDK-në kanë qenë shumë më të mëdha se kaq, sepse pritej që ajo të arrinte mbi 20 për qind, me ambicie që të dal partia e dytë

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj në një përgjigje dhënë për “Bota sot”, thotë se rezultatet e LDK-së kanë qenë zhgënjyese, pasi pritej të kalonte mbi 20%, por pati vetëm një rritje të vogël rreth 4%.

Image
Adem Salihaj

Sipas tij, e ardhmja e LDK-së varet nga koalicionet, sidomos me Vetëvendosjen: nëse merr poste të rëndësishme mund të forcohet, përndryshe rrezikon të dobësohet më tej.

“Pritjet për LDK-në kanë qenë shumë më të mëdha se kaq, sepse pritej që ajo të arrinte mbi 20 për qind, me ambicie që të dal partia e dytë. Kjo do t’i krijonte asaj një avantazh të madh dhe një shpresë të ngritjes së mëtutjeshme të saj. Kjo ngritje e vogël prej rreth 5 për qind nuk jep ndonjë shpresë të madhe për të ardhmen.

Megjithatë, fati i LDK-së do të varet shumë edhe nga zhvillimet e ardhshme të koalicioneve. Nëse arrin një koalicion me Vetëvendosjen dhe nëse arrin të marrë një copë të konsiderueshme të pushtetit, respektivisht të marrë ndonjë pozitë të rëndësishme, atëherë mund të shihet si faktor në të ardhmen. Nëse nuk e arrin këtë, ka rrezik që gjendja e saj të rikthehet për të keq”, u shpreh ai.

Ai thotë se përgjegjësinë për mosarritjen e pritjeve në LDK e mban jo vetëm Lumir Abdixhiku, por edhe Vjosa Osmani. Sipas tij, nga Osmani është pritur shumë më shumë si “shpresa e LDK-së”, ndërsa rezultati i saj shihet si zhgënjyes.

“Sa i përket përgjegjësisë për mos arritjen e pritjeve, tash në situatën e re, Lumir Abdixhiku ka përgjegjësi, por jo vetëm ai, sepse edhe Vjosa Osmani ka hisen e saj. Ajo konsiderohej shpresa e LDK-së, pritej shumë më shumë prej saj, jo vetëm një katër përqindësh”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Tahiraj: Thirrje për llogaridhënie dhe ndryshim standardi në LDK pas rezultateve zgjedhore

Edhe veprimtari Saim Tahiraj, foli në lidhje me këtë çështje.

I ashpër, ai thotë se rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk ka sjellë rritjen e pritshme, sepse nuk ka marrë mbështetje as nga VV, as nga elektorati i LDK-së, që sipas tij nuk e ka pranuar lehtë për shkak të së kaluarës së saj.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, e quan gabim vendosjen e saj në krye të listës dhe përfshirjen e figurave që kanë kaluar në parti të tjera, duke thënë se janë lënë anash aktivistët besnikë të LDK-së.

Image
Saim Tahiraj

“Në prononcimet e mia të mëhershme për Bota Sot, kam theksuar se kthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk garantonte rritjen e pritur dhe të proklamuar nga lidershipi i LDK-së dhe vetë Vjosa Osmani. Arsyet pse kjo nuk do të ndodhte i kam shpjeguar qartë: elektorati i VV-së nuk pritej ta votonte, elektorati i paqëndrueshëm që lëviz shpesh nga një subjekt politik te tjetri nuk ishte i sigurt se do ta ndiqte pas Vjosën, ndërsa më e rëndësishmja, elektorati besnik i LDK-së nuk do ta pranonte lehtë rikthimin e saj, pasi nuk e ka harruar dëmin që, sipas tyre, ajo i ka shkaktuar LDK-së. Me këto mangësi, nuk mund të priteshin rezultate të mëdha.

Ky rezultat përbën mesazhin kryesor që i dërgohet lidershipit të LDK-së: është gabim të vendoset bartëse e listës një person që vjen nga një parti tjetër dhe që, sipas perceptimit të një pjese të anëtarësisë, e ka dëmtuar LDK-në me veprimet e saj. Po ashtu, vendosja në dhjetëshen e parë e personave që kanë kaluar nëpër disa parti dhe që kanë qenë kritikë apo kundërshtarë të LDK-së, ndërkohë që janë lënë anash veprimtarë e qëndrestarë besnikë të saj, ka qenë një gabim i madh”, bëri të ditur ai.

Tutje, Tahiraj thekson se LDK duhet të ndalojë praktikën e rikthimit të figurave që janë larguar e kanë sulmuar partinë, duke kërkuar që në vend të saj të vlejë meritokracia, besnikëria dhe kontributi.

Sipas tij, duhet të ketë më shumë përgjegjësi dhe dorëheqje pas rezultateve të dobëta, sepse pallogaridhënie LDK rrezikon të përsërisë gabimet dhe të mos ecë përpara.

“Mesazhi kryesor i këtij rezultati është se duhet të marrë fund standardi sipas të cilit dikush largohet nga LDK-ja, e sulmon atë për vite me radhë, kalon nëpër disa subjekte politike dhe më pas rikthehet në LDK duke u vendosur në pozitat më të larta të listës. Standardi i ri duhet të jetë meritokracia, kontributi dhe besnikëria ndaj LDK-së. Pikërisht këto vlera duhet të jenë udhërrëfyese në përzgjedhjen e drejtuesve dhe kandidatëve kryesorë.

Një mesazh tjetër i rëndësishëm është ai i përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Nuk mund të kalohet kjo situatë sikurse u kalua humbja e mëparshme, kur LDK-ja zbriti në 13%, pa dhënë llogari askush dhe pa marrë përgjegjësi përmes dorëheqjes. Tani rezultati duhet të lexohet drejt, të bëhet një analizë e mirëfilltë, të identifikohen gabimet dhe përgjegjësit të marrin përgjegjësinë që u takon, duke ofruar edhe dorëheqjen nëse është e nevojshme.

Nuk guxojmë të vazhdojmë me përsëritjen e gabimeve dhe as t’i mbulojmë ato sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse vërtet dëshirojmë që LDK-ja të ecë përpara me bashkim real e jo vetëm me retorikë, atëherë duhet të veprohet me përgjegjësi, llogaridhënie dhe respekt ndaj vullnetit të elektoratit” – përmbylli ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme