Analisti politik dhe publicisti Idriz Zeqiraj ka ngritur akuza të forta ndaj ish-lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar periudhën pas vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova si fillimin e “çmontimit të rugovizmit”.
“Pas amshimit të Presidentit Rugova, hapi i parë i disa ish-bashkëpunëtorëve hileqarë ishte çmontimi i rugovizmit”, thekson Zeqiraj. Sipas tij, “mbyllja e Aktivave ishte goditja më e madhe”, duke e reduktuar strukturën e partisë në disa qendra me nëndegë.
Ai vlerëson se devijimi nga rruga rugoviane kulmoi me rezultatin e dobët në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“LDK përfundoi në 9.8 për qind, ndërsa 12.5 për qind është rezultat i përbashkët me Pacollin dhe disa parti të vogla”, deklaron Zeqiraj, duke e cilësuar këtë si “rezultatin më të ulët në historinë politike të LDK-së”.

Idriz Zeqiraj
Zeqiraj rendit katër arsye kryesore për degradimin e partisë:
“Mbyllja e Aktivave dhe bartja e tyre në nëndegë”;
“Heqja e debatit në të gjitha nivelet e strukturave”;
“Zëvendësimi i votimit të fshehtë me votim aklamativ”;
“Kompetenca tej mase të zgjeruara për kryetarin e partisë”.
“Rendita vetëm katër fajet-krime ndaj LDK-së që i bëri lidershipi i drejtuar nga Isa Mustafa”, shprehet ai, duke shtuar se pas tyre “qëndronte një mision i bashkërenduar për goditjen e LDK-së”.
Duke sjellë një shembull konkret, Zeqiraj thotë se votimi i fshehtë shpeshherë është shmangur për të kontrolluar rezultatet.
“Kur u kërkua votim i fshehtë për delegatët, asnjëri nga të propozuarit nuk fitoi. Kjo tregon se vota e lirë i rrëzonte skemat e kontrolluara”, thekson ai.
Zeqiraj shpreh rezerva edhe për riorganizimin e fundit të LDK-së, duke e cilësuar atë si të pjesshëm.
“Emërimet janë kryesisht subjektive, me pak ndryshime reale, më shumë retushime”, thotë ai. Sipas tij, në kryesi vazhdojnë të jenë figura “që kanë qenë pjesë e çmontimit të rugovizmit”.
Ai shton se disa prej tyre “kanë votuar vendime të dëmshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin dhe Demarkacionin”.
Zeqiraj kujton edhe ngjarje të tensionuara brenda LDK-së, përfshirë Kuvendin e vitit 2015.
“Delegatëve nga diaspora iu ndalua hyrja, ndërsa Donikë Gërvalla u nxor zvarrë nga salla”, deklaron ai, duke e cilësuar këtë si “sjellje banditeske që largoi mijëra anëtarë nga partia”.
Megjithatë, ai sheh një rreze shprese te kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Duke iu referuar një interviste televizive, Zeqiraj citon.
“Kur u pyet nëse bashkëpunëtorët e tradhtuan, Abdixhiku u përgjigj: ‘Jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij’.”
Sipas Zeqirajt, premtimi i Abdixhikut për rikthimin e debatit dhe votimit të fshehtë është kyç. “Kjo është rruga e vetme për ta rikthyer demokracinë e brendshme në parti”, thekson ai.
Zeqiraj apelon për një reformim të thellë dhe seleksionim të figurave drejtuese.
“LDK mund të ringrihet vetëm me figura dinjitoze dhe parime të qarta. Askush nuk e ka vendin ‘me tapi’ në parti”, deklaron ai.
Në fund, ai thekson nevojën për unitet, por paralajmëron për rreziqe të brendshme.
“Brenda LDK-së janë infiltruar elementë që synojnë ta ndajnë dhe rrënojnë partinë”, tha ai.
