28.05.2026 – 19:13
Abdixhiku premton: Mësuesi pagën 1000 euro, ndërsa polici, ushtari, infermieri e zjarrfikësi nga 900 euro
LDK-ja është e bashkuar dhe e gatshme për sfidat politike që e presin vendin, tha kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku në tubimin e kësaj partie në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Në hapje zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale ndaj qytetarëve, duke ironizuar me ndihmat financiare prej 100 eurosh të ndara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Abdixhiku para mijëra simpatizantëve ka prezantuar vizionin dhe mesazhet kryesore.
Abdixhiku: “A duhet të rrish këtu, apo do të ikësh nga këtu?”
“A duhet të rrish këtu, apo do të ikësh nga këtu?”. Dhe kjo është plagë, është plagë kombëtare sepse një vend nuk humbet vetëm kur është i varfër, një vend humbet kur zbehet besimi, kur njerëzit fillojnë mendojnë se asgjë nuk ndryshon më, kur shpresa zëvendësohet me cinizëm, kur propaganda bëhet më e fortë se puna, kur zhurma bëhet më e madhe se rezultati, kur përçarja shitet si patriotizëm e kriza si mjet i ekzistencës. Një vend humbet kur mësohet me pak, ne nuk duam të mësohemi me pak. Një vend humbet kur një popull krenar i kërkohet t’ju bindet, kur qytetarëve u kërkohet knaqësia me ndihma të përkohshme, një qind eurosh, në vend të mundësive të përhershme, kur ambicia për zhvillim zëvendësohet me menaxhim varfërie, kur frika nga rreziqet e brendshme bëhet mbyllje e vetë kohës. “, u shpreh Abdixhiku.
Ai po ashtu ironizoi edhe me deklaratat e mëhershme të Kurtit për flamurin e Kosovës.
Abdixhiku: Me flamurin e Republikës në gjoks, që për të nuk është objekt lara-lara, por identiteti i tij
“Kosovën e vërtetë e gjej mes njerëzve të Kosovës, mes popullit tonë, e kemi parë gjithandej, e kam parë në sytë e një vajze të vogël që më thotë se dëshiron të bëhet shkencëtare këtu, në vendin e saj, jo, jo diku tjetër, sepse për këtë në Kosovë, vendin më të bukur në botë. E kam parë dhe te ky djalë i ri që stërvitet çdo ditë në borë e në shi, me një ëndërr të madhe para vetes, që një ditë në hapat e Manit e të tjerëve ta përfaqësojë Kosovën tonë në arenën ndërkombëtare me flamurin e Republikës në gjoks, me atë flamur që për të nuk është objekt lara-lara, por është identiteti i tij, është sakrifica e prindërve të tij”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku premtoi 200 euro në muaj për fëmijët e posalindur, dyfishim të pensioneve dhe pagën 1000 euro për mësuesit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër tha se programin e tyre kanë vendosur që ta fillojnë me familjen, aty ku sipas tij dhemb më së shumti.
Abdixhiku: Do t’i bëjmë 200 euro në muaj për çdo të posalindur dhe dyfishim të pensioneve
“Dhe ne kemi vendosur të fillojmë aty ku dhemb më së shumti, tek familja kosovare sepse nuk ka republikë të fortë me familje të pasigurta, nuk ka ekonomi të zhvilluar kur cdoo ditë zgjohet me ankthin për muajin tjetër apo pret lëmoshë nga një politikan para zgjedhjeve. Nuk ka shpresë për të ardhmen kur nëna e re e ndjen se është vetëm, kur pensionisti ndjehet si barrë, kur fëmija rritet pa mbështetjen që i takon. Prandaj ne do të bëjmë shtetin krah të familjes. Me Ministrinë e Familjes, me 200 euro në muaj për cdo të posalindur përplot një vit, ky është zotimi ynë i parë në këtë fushatë”, tha Abdixhiku.
Ai premtoi shtesa për fëmijë për cdo muaj deri në moshën 16 vjecare dhe me dyfishim të pensioneve duke mos lënë kështu asnjë pension nën shumën 300 euro.
Abdixhiku: Shtesat nuk do të jenë më lëmoshë elektorale, madje do të rriten
“Një republikë serioze nuk e lë askënd prapa. Shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë më lëmoshë elektorale, jo ato nuk do të ndalen, do të jepen madje do të rriten dhe do të garantohen me ligj si siguri e përhershme jo si blerje elektorale”, shtoi ai.
Më tej, kreu i kësaj partie theksoi se do të sjell investitorë për krijimin e më shumë vendeve të punës.
Abdixhiku: Mësuesi pagën 1000 euro, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi nga 900 euro
“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, tha ai.
