Lajme

Lëndim apo përmirësim/ Analistët flasin për raportet Kosovë-SHBA, si qëndron e vërteta e tyre?

Ditë më parë, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se po përballen me disa sfida me Qeverinë Kurti.

Sipas tij, këto sfida kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ashtu siç tha zëdhënësi i DASh-it, qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës ‘do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë’”.

“Por, edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tashme mbesin më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës mbetet po aq i fortë si gjithmonë”, tha Hovenier në një konferencë të përbashket me presidenten Vjosa Osmani.

Lama: Qytetarët e Kosovës, nëpërmjet votës së tyre do të përcaktojnë se çfarë raportesh duan me SHBA

Image
Alma Lama

Ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se fjalët e thëna nga ambasadori duhet të merren shumë më seriozisht, duke shtuar se raportet mes dy vendeve janë dëmtuar.

“Fjalët e ambasadorit amerikan duhet të merren seriozisht. Nëse ai flet për lëndim raportesh me qeverinë, kjo do të thotë që raportet janë dëmtuar rëndë. Pasi gjuha diplomatike dhe publike gjithmonë është e kujdeshme. Problemi është se KM Kurti s’ka në plan të ndryshojë politikën e tij dhe raportet me SHBA-në do të përkeqësohen edhe më shumë. Kjo sjellje është shumë problamatike për interesat e Kosovës afatshkurta dhe afatgjata.

Mendoj se qytetarët e Kosovës, nëpërmjet votës së tyre do të përcaktojnë se çfarë raportesh duan me SHBA”, përfundon ajo.

Mehazi: Për SHBA-në është më e rëndësishme populli i Kosovës sesa “teket” politike të kryeministrit Kurti 

Profesori Sulejman Mehazi, duke përshtatur dhe krahasuar situatën thotë se Kosova është si vajza e vogël e lindur në Ballkan nga SHBA, por e cila ndonjherë “nuk dëgjon prindin”.  

Image
Sulejman Mehazi

“Kosova është goca më e vogël e lindur në Ballkan nga SHBA-të, dhe shpesh ndodh që fëmija i “lazdruar” mos ta dëgjojë prindin e saj, kështu ndodh me kryeministrin e “lazdëruar” të Kosovës, Albin Kurtin, i cili ndonjëherë nuk pajtohet me urdhërat e prindërve të tij, SHBA-të për ruatjen e pavarësisë së shtetit të tij krijuar po nga SHBA-të.

Këto veprime “lazdëruese” politike të Kurtit ndaj SHBA-ve i shpreh edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ankohet për disa sfida padëgjueshmërie të kryeministrit të Kosovës, Kurtit, po ama në anën tjetër SHBA-të popullin e përvuajtur të Kosovës për shkak “padëgjueshmërisë” së Kurtit nuk e lë bosh duke i dhuruar mbi 35 milionë dollarë”, nënvizon ai.

Tutje, profesori thotë se vet logjika e ndihmës 35 milionë dollarëshe e SHBA-ve ndaj Kosovës tregon se sa e dashur dhe e vyer është dhe do të jetë në të ardhmen Kosova për SHBA-të.

“Për SHBA-në është më e rëndesishme populli i Kosovës sesa “teket” politike të kryeministrit Kurtit i cili me sakrificë të madhe vetanake mbron fortë sovranitetin e Kosovës me anë të hapjes se urës së Ibrit dhe dialogut me Serbinë në përgjithësi. Dhe vetë deklarata e Ambasadorit Amerikan, Jeffrey Hovenier, është mikluese e “lazdruese” ndaj Kryeministrit Kurtit i cili shprehet: “disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tashme mbesin më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës mbetet po aq i fortë si gjithmonë”, që ka simbolikën e përkrahjes së fuqishme të SHBA-ve ndaj popullit të Kosovës.

Logjika e ndihmës 35 milionë dollarëshe e SHBA-ve ndaj Kosovës tregon se sa e dashur dhe e vyer është dhe do të jetë në të ardhmen Kosova për SHBA-të. Sikurse që është e dashur SHBA-ja për Kosovën, poashtu është e dashur edhe Kosova për SHBA-në”, përfundon ai për “Bota sot”.