Një letër anonime me përmbajtje kërcënuese është gjetur të premten pasdite brenda Katedrales Notre-Dame në Paris, duke paralajmëruar një sulm të mundshëm me thikë. Sipas “Le Parisien”, dokumentin e ka zbuluar sakristani i katedrales pranë vendit ku vendosen qirinjtë. Letra, e shkruar me makinë shkrimi, përmbante një mesazh tronditës: “Mos e hapni katedralen më 11 dhe 12 tetor. Do të ketë vizitorë të huaj që, me ndihmën e të tjerëve, kanë fshehur thika në ambientet e brendshme. Ata do të kryejnë një masakër. Ju lutem, mos e hapni katedralen.”
Pas zbulimit, stafi i sigurisë vendosi të mos evakuojë besimtarët, por të intensifikojë menjëherë kontrollet. Tërë hapësira u kontrollua me kujdes për të gjetur ndonjë armë apo objekt të dyshimtë, por asgjë e tillë nuk u gjet.
Policia franceze është vënë menjëherë në dijeni dhe ka hapur një hetim për të zbuluar autorin e letrës dhe për të përcaktuar nëse kërcënimi ka bazë reale.
Ngjarja ndodh në një moment të ndjeshëm për Francën, ku autoritetet janë në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut nga aktet ekstremiste. Për fundjavën, masat e sigurisë në Notre-Dame dhe në pikat kryesore të Parisit janë forcuar ndjeshëm.
/tiranapost