Lajme

Lëviz tonelata me kokainë / Ky është “Pitbulli” që del në dosje me Salvadore Aliun (EMRI)

Sokol Bibaj, i njohur me nofkat “Gus”, “Gusti” dhe “Pitbull”, është një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Ndaj Bibajt, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai dyshohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal

Emri i tij shfaqet në të njëjtën dosje me disa persona të tjerë nën hetim, mes të cilëve Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvadore, Dritan Gjika, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Florjan Musaj, Naldi Yzeiraj, Armando Pacani dhe Oklid Aliu.

Sipas materialeve hetimore, SPAK dyshon se Sokol Bibaj kishte një rol të rëndësishëm në skemën e trafikut, duke drejtuar një grup që siguronte kokainë përmes Shpëtim Aliut. Ky i fundit u arrestua së fundmi në Rusi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa autoritetet shqiptare presin ekstradimin e tij.

Një pjesë e provave mbi të cilat mbështeten hetimet lidhet me komunikimet e zhvilluara në platformën e koduar Sky ECC. Sipas dosjes, këto komunikime kanë ndihmuar hetuesit të dokumentojnë lidhjet mes personave të dyshuar, ndërsa emri i Sokol Bibajt shfaqet në disa episode që lidhen me ngarkesa të dyshuara kokaine.

Në hetime përmendet gjithashtu vëllai i tij, Nikoll Bibaj, i njohur me nofkat “Buci” dhe “Ujku”.

Një prej episodeve të përfshira në materialet hetimore lidhet me një komunikim zanor të datës 31 maj 2020. Sipas dosjes, Sokol Bibaj i tregonte të vëllait se autoritetet kishin dërguar fotografinë e tij në Shkup dhe kishin arritur ta identifikonin. Në bisedë ai fliste gjithashtu për rrethanat e një ndalimi të mëparshëm dhe pretendonte se informacione për të ishin dhënë nga një ish-efektiv i strukturave kundër krimit të organizuar.

Hetuesit kanë veçuar pesë episode kryesore të dyshuara të trafikut të narkotikëve që lidhen me rrjetin nën hetim. Sipas SPAK, grupet drejtoheshin nga persona mes të cilëve Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, ndërsa Shpëtim Aliu dyshohet se kishte një rol kryesor në furnizimin me lëndë narkotike.

Hetimi nuk është përqendruar vetëm te trafiku i kokainës, por edhe te destinacioni i parave që dyshohet se janë gjeneruar nga aktiviteti kriminal. Prokuroria e Posaçme pretendon se një pjesë e këtyre të ardhurave është sjellë në Shqipëri në formë cash, duke shmangur sistemin bankar.

Paratë dyshohet se më pas janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë kompani tregtare, ndërtim, hoteleri dhe konsulencë. Hetimet për të dokumentuar aktivitetin dhe rolin e personave të përfshirë vijojnë.

Të Ngjashme