Lajme

Libri ‘‘Kosova: Lufta e heshtur’’ promovohet edhe në Vjenë

Eco Higjiena

Para bashkatdhetarëve tanë ish-Ambasadori i Shqipërisë në Austri Zef Mazi prezantoi librin e tij ‘‘Kosova: Lufta e heshtur. Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999)’’. Në të përfshihet një ndër periudhat më të rëndësishme të procesit i cili i parapriu bërjes së shtetit të Kosovës. Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe aktivistë të komunitetit tonë.

Pas Tiranës dhe Prishtinës edhe në kryeqytetin e Austrisë u promovua libri që dëshmon përkushtimin e një grupi diplomatësh të shtetit shqiptar që mbi supet e tyre vunë një barrë të rëndë duke u bërë një zë i fuqishëm i Kosovës në kohën kur ajo nuk kishte mundësi që të ulej e barabartë në tavolinën e bashkësisë ndërkombëtare.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Ambasadori në Detyrë i Kosovës Albinot Bimbashi, i cili në emër të shtetit të Kosovës shprehu mirënjohje për këtë botim të Ambasador Mazit i cili ishte jo vetëm dëshmitar por edhe iniciues dhe protagonist i ngjarjeve që shënuan një epokë dhe të cilat do të mbesin në kujtesën e popullit të saj si falënderim për tërë atë angazhim që rezultoi me mbështetje të fuqishme nga bota demokratike për kauzën e saj.

Me pas në një fjalë rasti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, ndër të tjera tha se është gjithmonë kënaqësi që libri na bashkon e për më tepër kur aty është edhe autori i cili nga dora e parë mund të flasë për të, sidomos për qëllimin dhe sfidat me të cilat mund të jetë ballafaquar gjatë shkrimit të tij.

Ai po ashtu udhëhoqi edhe bashkëbisedimin e Ambasadorin Mazi duke vazhduar me një prezantim të shkurtër të tij. Zef Mazi ka qenë Ambasador në Britaninë e Madhe, në Irlandën e Veriut si dhe në Republikën e Irlandës (2007-2011).

Para kësaj ai ka qenë Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve te Bashkuara në Vjene, në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evrope. Për dy vite me radhe ka qenë, në rang ministri, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat me BE. Filolog, historian dhe jurist Mazi i ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme të punës së tij profesionale Kosovës duke qenë një përkrahës i sinqertë i lëvizjes për pavarësi dhe bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë së saj në ekzil, sidomos i Kryeministrit Bujar Bukoshi dhe Presidentit Ibrahim Rugova.

Ambasadori Mazi theksoi se shkrimi i librit i ka marrë rreth dy vite kohë dhe në të ai ka trajtuar më shumë se gjashtë mijë faqe materiale të ndryshme, përfshirë edhe protokolle dhe fotografi, duke dokumentuar kështu me fakte rrethanat dhe protagonistët kryesorë që u bënë pjesë e historisë së shtetit më të ri në Evropë.

KD-viti

Sipas tij ‘‘Ky është libër historik, jo artistik, i cili flet për një kapitull të komplikuar dhe kompleks, me shumë boshllëqe. Në të pasqyrohet në mënyrë të saktë edhe koordinimi dhe harmonizimi i qëndrimeve me përfaqësuesit legjitim të Kosovës përderisa në instancat më të larta botërore Shqipëria foli për Kosovën por, për shkak të specifikave, jo dhe në emër te saj’’.

Në pjesën e dytë të Ambasador Mazi iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me Konferencën e Rambujesë, Rezolutën 1224 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, perspektivën për anëtarësim në NATO, sfidat aktuale nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova, kontributin e lëvizjeve dhe partive politike të Kosovës në marrëdhëniet me institucionet austriake, profilin e diplomatit bashkëkohor, etj.

Kësaj mbrëmje kulturore i dhanë intonacion të veçantë edhe pjesët muzikore në piano të interpretuara nga Erseka Nitaj.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo sivjet feston 15-të vjetorin e krijimit dhe është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet.

Me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj.

Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë./anton marku/rajonipress/

Të Ngjashme