Lajme

Lili Cingu, këmbët që vallëzojnë ende

Nga JONIDA HITOVEIZI

Për Lili Cingun ka folur skena! Dhe ajo besoj se i ka thënë të gjitha përmes saj. Është e pamundur të mos e vësh re pasionin, lehtësinë me të cilën ajo lëviz, kur kthehesh pas dhe sheh shfaqjet e Ansamblit Popullor. Vetëm ajo mundet të vallëzojë aq lehtë, aq e sigurt, aq dominuese e njëherësh të mos vësh re nëse këmbët e saj e prekin tokën apo jo. Një energji nga ato që skena dhe bota e artit i sheh rrallë, aq rrallë sa mbeten të pakrahasueshme, mbeten pika të arta referimi në histori. Me Lilin në intervistën për Newsbomb nuk do të flasim për jetën e saj në skenë, por për jetën e saj si grua në skenë. Krejt pa e menduar biseda me të nis nga komentet e njerëzve dhe kur vjen puna këtu, artistët kanë qenë dhe janë përherë nën një lupë tjetër.

Ç’nuk thuhet apo më mirë çfarë nuk themi për ta! Ndoshta edhe sepse jeta e tyre luhet në një farë mënyre pëpara të gjithë nesh dhe shpesh na ngjall ndjenja të përziera, herë xhelozi, herë adhurim, herë-herë kërkojmë që ata të jenë perfekt edhe në jetën si njerëz normal jashtë skenës e plot të tjera. Edhe për Lilin kanë folur. Si për të gjitha gratë e këtij vendi. Shpesh edhe mund ta kenë prekur, lënduar, por ajo i ka qënndruar fort vetëm diçkaje; punës dhe talentit.

Dhe këtë mesazh ka për të gjitha gratë e tjera, që veten e tyre ta shohin përmes asaj çka janë dhe bëjnë dhe përmes asnjë projeksioni tjetër. Për të liria absolute si femër, si grua, ka qenë skena. Kur e pyes për vallen, emocionet vijnë si një puhizë e lehtë plot me kujtime, mallëngjehet për partnerët e saj të jashtëzakonshëm si Besim Zekthi e Rexhep Çeliku. Dhe thotë se nuk ka kohë, asnjë moshë që mundet ta zbeh apo ta heqë vallen nga këmbët e saj. Unë jetoj me skenën, jam ende aty, pohon me një pasion krejt tjetër nga gjithë pjesa tjetër e bisedës. Krenare thotë se e ka jetuar të plotë atë që donte; të ishte më e mira e valles. Dhe s’ka asnjë dyshim se e tillë, mjeshtre e pakrasueshme do të mbetet gjatë. Është gjurma e saj në këtë botë, e cila do të qëndrojë përherë si një pikë referimi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetepestë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…