Lajme

Lindita Nikolla merr në dorëzim Progres-Raportin 2023 të KE për Shqipërinë

Ambasdori i BE-së, Luigi Soreca, i dorëzoi sot kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2023.

Soreca tha se ky është një raport shumë i mirë për arritjet dhe sfidat. “Të gjithë duhet të jemi krenarë për punën e dymbëdhjetë muajve të fundit dhe që Shqipëria i përmbushi me sukses detyrat e procesit screening”, tha ai.

Ambasdori i BE-së tha se Shqipëria ka ende shumë punë para, teksa bëri thirrje se të gjithë duhet të punojnë që ky momentum të mos humbasë dhe integrimi evropian të mbahet në krye të agjendës kombëtare.

Soreca tha se Integrimi i Shqipërisë në BE është mbi interesat politike e partiake. “Avancimi i reformave, sidomos reformës në drejtësi, po jep rezultate të dukshme dhe po kontribuon në rritjen e shpejtësisë së integrimit evropian”, theksoi ai.

Nga ana e saj Kryetarja Nikolla falenderoi Ambasadorin Soreca për Raportin dhe vlerësimet dhe nënvizoi se Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë do të analizojnë me kujdes të gjitha shqetësimet dhe rekomandimet e Raportit.