Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Srpska, mbrëmë ka mbajtur një konferencë për media pas aksionit që ndërmori Policia e Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale të Serbisë në veri të vendit.
Por, Lista Srpska konferencën e ka planifikuar vetëm për gazetarët që ajo ka dashur. Për këtë ka ngjallë revoltë te gazetarët e mediave, përfshirë edhe atyre në veri që raportojnë në gjuhën serbe.
E këtë herë shumica e mediave, përfshirë edhe Kontakt Plus, nuk ishin të informuar për këtë ngjarje, tha ky medium në gjuhën serbe.
“Duke marrë vesh nga kolegë të caktuar nga terreni, gazetarët e redaksive lokale dolën në konferencë për shtyp. Mirëpo, kur mbërritën në vendngjarje, u tha se ngjarja nuk ishte për mediat që ata gazetarë përfaqësonin, por për disa të caktuara. Meqë nuk na lejuan të marrim pjesë në konferencë, audienca e medias sonë u privua nga informacioni, i cili në këtë moment është jashtëzakonisht i rëndësishëm për publikun, për shkak të ngjarjeve të sotme në veri të Kosovës”, ka shkruar ky medium.
Gjithashtu edhe KoSSev u ankua për këtë. Mediumi raportoi se Lista Srpska u përpoq ta pengojë gazetarin e tyre.
KoSSev thotë se edhe korrespondenti i Zërit të Amerikës, i cili gjithashtu raportoi për këtë situatë, nuk ishte i ftuar në këtë konferencë.