Një mëngjes pranvere të vitit 1838, piktori dhe shpikësi francez Louis Daguerre vendosi një aparat fotografik mbi çatinë e studios së tij në Paris. Ai synonte të krijonte imazhe sa më të qarta dhe realiste, duke përdorur kimikate të ndjeshme ndaj dritës dhe pllakatë lëmuara argjendi.
Daguerre e drejtoi aparatin nga bulevardi du Temple, një rrugë e njohur për teatrot dhe lëvizjen e gjallë të qytetit. Edhe në orën tetë të mëngjesit, rruga ishte plot kalimtarë, shitës ambulantë dhe karroca me kuaj.
Ai hapi objektivin dhe e la dritën të vepronte për pesë minuta. Më pas, në studio, përfundoi procesin fotografik që kishte përsosur prej 14 vjetësh, duke krijuar një imazh të bulevardit, një nga shembujt e parë të teknikës që do të njihej si dagerotipi.
Fotografia, e titulluar Pamje nga bulevardi du Temple, ishte një nga tri imazhet eksperimentale që Daguerre realizoi atë ditë. Për shkak të ekspozimit të gjatë, njerëzit dhe karrocat në lëvizje nuk dukeshin. Megjithatë, në pjesën e poshtme majtas të fotografisë shfaqet një burrë që qëndron i palëvizur në trotuar, me njërën këmbë të mbështetur mbi një kuti, me gjasë për t’i lustruar këpucët.
Lustruesi i këpucëve nuk duket, por klienti i tij mbeti i regjistruar në pllakën fotografike. Ai nuk dihet kush ishte, por sot besohet se është personi i parë i paraqitur qartësisht në një fotografi që ka mbijetuar deri në ditët tona.
Louis Daguerre dhe shpikja e fotografisë

Para se të merrej me fotografi, Daguerre ishte i njohur për krijimin e Dioramës së Parisit, një spektakël që përdorte piktura gjigante, pasqyra dhe ndriçim të ndryshueshëm për të krijuar iluzionin e lëvizjes. Ai dëshironte të prodhonte imazhe sa më realiste dhe madje të shiste kopje të vogla të pikturave të tij si suvenire.
Në fund të viteve 1820, ai nisi të bashkëpunonte me shpikësin francez Nicéphore Niépce, i cili po eksperimentonte me mënyrat për të fiksuar përgjithmonë imazhet përmes dritës dhe kimikateve.
Niépce krijoi një teknikë të quajtur heliografi. Fotografia e tij e vitit 1827, Pamje nga dritarja në Le Gras, konsiderohet fotografia më e vjetër e mbijetuar. Për realizimin e saj nevojiteshin gjashtë ditë ekspozim, por imazhi mbeti i errët dhe i paqartë.
Pas vdekjes së Niépce-së, në vitin 1833, Daguerre vazhdoi eksperimentet dhe zhvilloi dagerotipinë, të cilën e prezantoi publikisht në vitin 1839.
Një teknikë revolucionare
Procesi ishte i ndërlikuar. Një pllakë bakri e veshur me argjend lëmohej dhe trajtohej me avuj jodi për ta bërë të ndjeshme ndaj dritës. Pas ekspozimit për disa minuta në aparat, pllaka trajtohej me avuj merkuri, të cilët krijonin imazhin mbi sipërfaqen e saj.
Rezultati ishte një fotografi me hollësi të jashtëzakonshme, që mund të vëzhgohej nga afër.
Daguerre filloi të promovonte shpikjen e tij përmes vizitave në studio. Gazetarë dhe figura të njohura mbetën të mahnitur nga imazhet. Shpikësi amerikan Samuel Morse, i njohur për zhvillimin e telegrafit, vuri re veçanërisht burrin që po lustronte këpucët në bulevardin du Temple.
Ai shpjegoi se objektet në lëvizje nuk regjistroheshin, ndërsa këmbët e burrit ishin të dallueshme sepse ai kishte qëndruar pa lëvizur për disa minuta.
Morse vuri në dukje se koka dhe trupi i burrit nuk dukeshin qartë, pasi kishin lëvizur gjatë ekspozimit.
Dhurata e Francës për botën

Me 19 gusht 1839, autoritetet franceze njoftuan se procesi i dagerotipisë do t’i dhurohej botës. Qeveria franceze bleu të drejtat e shpikjes dhe u dha Daguerre-it dhe djalit të Niépce-së pensione të përjetshme.
Teknika u përhap me shpejtësi. Dyqanet e optikës në Paris mbetën pa objektiva, ndërsa njerëzit blinin materiale për të ndërtuar aparatet e tyre. Shpikës të tjerë e përmirësuan procesin dhe arritën të shkurtonin kohën e ekspozimit nga disa minuta në më pak se një minutë.
Në vitet 1840, fotografitë portret u kthyen në një industri të lulëzuar, me studio që hapeshin në qytete të shumta amerikane.
Si u shpëtua fotografia e parë e një njeriu?

Fotografia e Daguerre-it për pak sa nuk u zhduk përgjithmonë. Me 8 mars 1839, një zjarr shkatërroi Dioramën dhe studion e tij në Paris, por imazhi i bulevardit ishte ndër të paktët që mbijetuan.
Po atë vit, Daguerre ia dhuroi fotografinë mbretit Ludwig I të Bavarisë, së bashku me dy dagerotipe të tjera. Ato u ekspozuan në Muzeun Kombëtar të Bavarisë dhe u fotografuan sërish në vitet 1930. Kopjet e kësaj periudhe u botuan në një libër të historianit Beaumont Newhall në vitin 1949, duke ruajtur imazhin për brezat e ardhshëm.
Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpjekjet për restaurimin e pllakave i dëmtuan rëndë. Një tjetër ndërhyrje në vitet 1970 i shkatërroi plotësisht imazhet origjinale.
Sot kanë mbijetuar vetëm kopjet fotografike të realizuara në vitet 1930. Vizitorët e muzeut mund të shohin një riprodhim të cilësisë së lartë të veprës.
Kështu, burri anonim që ndaloi për të lustruar këpucët u bë pjesë e historisë së fotografisë, pa e ditur kurrë se imazhi i tij do të mbijetonte për shekuj. / History – Syri.net
