ShowBizzz

“Lufta mund të vijë edhe tek ne”: synimet e Rusisë dhe hija mbi NATO-n

Tensioni po rritet në Evropën Veriore dhe më gjerë, pas fjalëve të ministrit suedez të Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin, i cili ftoi popullatën të përgatitet për më të keqen. “Shumë njerëz e kanë thënë tashmë para meje, por më lejoni ta them më fort: mund të ketë një luftë në Suedi,” tha zyrtari sot, në një konferencë vjetore në qytetin e Sälen. Alarmi, i ngritur së fundmi edhe në Gjermaninë fqinje, vjen nga klima e pasigurisë e lidhur me reduktimin e ndihmës ushtarake për Kievin dhe zgjedhjet presidenciale amerikane, të cilat mund të çojnë në kthimin në Shtëpinë e Bardhë të izolacionistit Donald Trump.

“Për një vend që ka qenë në paqe për të paktën 210 vjet, ekziston një sugjestionim sikur kjo është një gjendje e pandryshueshme. Por zhytja në këtë rehati përbën një rrezik pothuajse të paprecedentë, “tha Bohlin. Pak ka vlejtur sqarimi i ministrit, se ai nuk ka ndërmend të futë vendin në panik, por përkundrazi dëshiron të krijojë një “ndërgjegjësim” kolektiv për realitetin e ri gjeopolitik evropian, pak më pak se dy vjet pas fillimit të konfliktit në Ukrainë. Efektet e shkaktuara nga “mjellma e zezë” në këtë rajon të Kontinentit të Vjetër kanë qenë të thella. Suedia dhe Finlanda paraqitën menjëherë një kërkesë zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO. Një rrugë e kryer nga Helsinki, e cila duket më e vështirë për Stokholmin, veçanërisht për shkak të rezervave të shprehura nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

​Edhe ministri suedez i Mbrojtjes Pål Jonson përsëriti mesazhin e kolegut të tij qeveritar, duke folur për një botë “më të rrezikshme se një vit më parë”, për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. “Ne nuk mund të përjashtojmë një sulm të armatosur kundër Suedisë. Lufta mund të vijë tek ne”. Ky është paralajmërimi i errët i Jonson, i cili paralajmëron kundër dëshirës së presidentit rus Vladimir Putin për të rikrijuar zonat e ndikimit dhe për të rivendosur një politikë të bazuar në përdorimin e armëve për të çuar përpara interesat e Kremlinit.

Përfaqësuesi i Mbrojtjes së Stokholmit parashikoi gjithashtu prezantimin e një plani që synon arritjen e katër objektivave për të maksimizuar rolin e Suedisë në funksion të hyrjes së saj të ardhshme në Aleancën Atlantike: forcimi i ushtrisë përmes rekrutimeve dhe profesionistëve, sigurimi i një sistemi afatgjatë furnizimi me municione brenda zonës skandinave për të reduktuar kohën e pritjes për dërgesat, për një strategji inovative mbrojtëse për të arritur epërsinë teknologjike në fushën e betejës dhe për të zgjeruar shpejt sistemin e sigurisë, duke krijuar një “mbrojtje të bazuar në rritje”.

Deklaratat e ministrave u shoqëruanga angazhimi i komunikuar prej kryeministrit suedez Ulf Kristersson i cili njoftoi vendosjen e ardhshme të një batalioni të forcave të armatosura në Letoni, për të “kontribuar në mbrojtjen dhe parandalimin e në kuadër të NATO-s”. (bota.al)