Qeveria e Hamasit njoftoi sot se 14,128 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Midis viktimave janë 5,840 fëmijë dhe 3,920 gra, tha qeveria e Hamasit.
Gjithashtu zyrtarët e Hamasit kanë thanë sot se një marrëveshje, për lirimin e pengjeve nga ana e tyre dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli, mund të arrihet shumë shpejt.
Rreth 240 njerëz u rrëmbyen nga Hamasi në Izrael më 7 tetor dhe u dërguan në Gazë, sipas zyrtarëve izraelitë. Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, i cili ndërmjetëson me Hamasin, kanë disa javë që bisedojnë për lirimin e pengjeve, si dhe për një armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës dhe futjen e më shumë ndihmave humanitare në territorin e rrethuar.
Ushtria e Izraelit është duke e zgjeruar ofensivën e vet në veri të Gazës, ku zhvilloi luftime të ashpra me pjesëtarët e Hamasit në kampin e mbipopulluar të refugjatëve, Xhabalia, i cili është më i madhi në tërë Gazën.