Autoriteti Portual Durrës njofton se dy luftanijet e marinës turke, “TCG Bayraktar” dhe “TCG Cezayirli GaziHasan Pasa”, ndodhen të bregëzuara në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit të Autoritetit Portual Durrës, publikuar në rrjetet sociale, “Anija “TCG Bayraktar”, është pjesë e dy prej anijeve amfibe zbarkuese të klasit “Bayraktar” të marinës turke të ndërtuara në vitin 2017 nga kantieri i Anadollit, për të përmbushur kërkesat operacionale të Komandës së Forcave Detare Turke.
“Luftanijet e klasit “Bayraktar” janë të destinuara kryesisht për misione amfibe dhe transportin e trupave dhe pajisjeve, ndërsa misionet e tyre dytësore përfshijnë ndihmën humanitare, ndihmën ndaj fatkeqësive, si dhe ndihmën e transportin për qëllime mjekësore. Kjo anije është 139 metra e gjatë dhe 20 metra e gjerë. Ndërkohë “TCG Cezayirli Gazi Hasan Pasa” është një nga katër anijet e klasit Rhein: Elbe, Donau, Isar dhe Ruhr të cilat iu transferuan marinës turke në vitet 1980”, bën me dije Autoriteti Portual Durrës.
“TCG Cezayirli Gazi Hasan Paşa” ka një gjatësi prej. 98 metra dhe gjerësi rreth 12 metra. Aktualisht këto anije luftarake përdoren kryesisht për qëllime stërvitore të Akademisë Detare Turke, por edhe në shërbim të Forcave Detare Turke. “TCG Bayraktar” dhe “TCG Cezayirli Gazi Hasan Pasa” vizitojnë vendin tonë për një qëndrim gjashtëditor, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët në det të hapur në funksion tē programeve stërvitore të Akademisë Detare Turke”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Portual Durrës.