Ish-ushtari i UÇK-së, Veli Sadiku, me origjinë nga Mitrovica e Jugut ka mbetur viktimë si pasojë e përplasjes me armë zjarri mes dy bandave kriminale në Francë.
Sipas mediave të huaja, po ashtu dhe atyre kosovare, mësohet se ngjarja ka ndodhur në Dijon të Francës, ku 55-vjeçari është qëlluar për vdekje aksidentalisht teksa ishte duke fjetur në banesën e tij.
Sipas asaj që prokuroria e zonës ka thënë, bëhet me dije se rreth orës 12:30, persona që udhëtonin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesave, aty ku dhe Veli Sadiku jetonte me familjen e tij.
“Rreth orës 12:30, disa personat që udhëtonin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesave dhe “nga një prej të shtënave ka mbetur i plagosur për vdekje një 55-vjeçar, i cili ndodhej në banesën e tij ”, tha prokurori i Dijonit.
Si pasojë e të shtënave plumbat kanë kapur 55-vjeçarin shqiptar i cili ndodhej në banesën e tij në katin e parë me bashkëshorten dhe fëmijën e tij. Policia po heton ngjarjen, ndërkohë dy autorët të cilët dyshohet se janë përgjegjës të kësaj ngjarje të rëndë ndodhen ende në arrati.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar edhe vetë familjarët e 55-vjeçarit, Veli Sadiku.
“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai është kthimi ynë! Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe farefisin tonë se në moshën 55-vjeçare, ka ndërruar jetë Agji ynë, Veli ( Sadik ) Sadiku , duke na lënë të pikëlluar dhe me zemër të thyer.
Dhimbjen nuk mund ta shprehin dot fjalët, por kujtimi për ty Agji do të jetë i përjetshëm. Lusim Allahun Fuqiplotë ta mbulojë me mëshirën e tij dhe ta gradojë në Xhennetul-Firdeus!”, shkruan një nga të afërmit e viktimës.
Sadiku ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së fundit. Ai së bashku me familjen e tij prej 14 vitesh jetonin në Francë.