Marrëdhënia mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë një tjetër kthesë pas deklaratave të forta të këtij të fundit nga paraburgimi.
Në qendër të përplasjes është edhe emri i Arbër Hajdarit, të cilit, sipas pretendimeve të Veliajt, kryeministri kërkon t’i kalojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Përmes një reagimi publik, Veliaj ka kundërshtuar akuzat se ka qenë i përfshirë në organizimin apo financimin e protestave kundër qeverisë, ndërsa ka sfiduar drejtpërdrejt Ramën të publikojë prova për këto pretendime.
“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim. Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku ka publikuar gjithashtu një letër, për të cilën thotë se e ka shkruar vetë, ku përshkruan një takim të zhvilluar të premten, më 30 tetor, në orën 22:30, me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit.
Sipas Veliajt, gjatë këtij takimi ministri i ka përcjellë tri kërkesa që ai ia atribuon kryeministrit Edi Rama.
E para lidhet me pretendimin se Veliaj ka organizuar apo financuar protestat e studentëve dhe grupimit të njohur si “Flamingot”. Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i është kërkuar të pranojë përfshirjen në këto protesta, përndryshe do të përballej me akuza të tjera penale.
Por kërkesa e dytë është ajo që ka sjellë në vëmendje emrin e Arbër Hajdarit, i njohur për publikun edhe nga roli i opinionistit në “Big Brother VIP Albania”.
“Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari)”, shkruhet në letrën e publikuar nga Veliaj, si një prej kërkesave që ai pretendon se i janë përcjellë në emër të Ramës.
Kërkesa e tretë, sipas të njëjtit dokument, ka qenë që Veliaj të ndërpresë këshillimet me Plarent Ndrecën, i cili është pjesë e ekipit të tij mbrojtës.
Këto pretendime kanë nxitur pikëpyetje lidhur me të ardhmen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe arsyen pse emri i Arbër Hajdarit është përfshirë në një përplasje të tillë politike.
Ndërkohë, Veliaj e ka kundërshtuar kategorikisht mundësinë që ai të ketë pasur rol në protestat kundër qeverisë.
“Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time. Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar se është takuar me Veliajn në burgun e Fierit, por ka mohuar kategorikisht se i ka përcjellë mesazhe kërcënuese në emër të kryeministrit.
Sipas Gogut, vizita është zhvilluar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të kryebashkiakut dhe për të dëgjuar ankesat e ngritura nga avokati i tij.
“Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë”, është shprehur ministri.
Për momentin, pretendimet e Veliajt për kërkesat e kryeministrit mbeten të pakonfirmuara, ndërsa Arbër Hajdari nuk ka bërë një deklaratë publike lidhur me përmendjen e emrit të tij.
Megjithatë, reagimi i kryebashkiakut tregon se përplasja me Ramën tashmë është bërë publike, me Veliajn që e akuzon drejtpërdrejt kryeministrin për presion politik dhe përpjekje për ta detyruar të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
