Lumbardh Salihu është fituesi i Big Brother VIP Kosova 2. Pas 105 ditësh, spektakli më i ndjekur në Kosovë ka mbajtur mbrëmjen e djeshme e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm finalen e madhe. Fituesi në këtë format shkon në shtëpi me 144.000 euro.
Blerando Lajçi është renditur i dyti, Shqipe Hysenaj e treta dhe Edona James e katërta. Lumbardhi është bërë pjesë e BBVK-së që prej natës së parë më 20 Tetor 2023.
Përgjatë kësaj aventure të tij televizive, ai është përballur me një mori situatash interesante, të tensionuara, pikante e emocionuese. Siç shkruan Klan Kosova, ai ka gjetur edhe dashurinë e tij, Kaderin, me të cilin është lidhur brenda shtëpisë.
Big Brother VIP Kosova hapi dyert dhe mirëpriti personazhe interesante të cilët u përqafuan nga audienca, sepse personifikonin të gjithë shqiptarinë në miniaturë. Ky ishte edicioni i dytë VIP në Kosovë, pasi edicioni i parë u fitua nga reperi i njohur nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur dhe si Stresi.
Lumbardh Salihu është djali i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Salihu. Ish-futbollisti me origjinë nga Vitia ka rezultuar banori më i votuar mes katër finalistëve.
Përgjatë qëndrimit në Big Brother VIP Kosova, Lumbardhi u shqua si një djalë i kulturuar dhe me edukatë, i cili herë pas here krijonte edhe situata dhe merrte pjesë edhe në debate të ndryshme.
Ish-banori i shtëpisë Big Brother VIP Kosova 2, Gani Gërmia, nuk u pa prezent në studio krahas banorëve të tjerë të eliminuar. Ai mesa duket ka injoruar finalen e madhe, për shkak se doli parakohe nga shtëpia e BBVK, sepse akuzoi produksionin se i kishte publikuar një video teksa pinte alkool fshehtas në shtëpi.
Në po të njëjtën ditë ai ka marrë dhuratë një fanellë nga futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Jasir Asani, me shënimin “Ti je fitues i këtij Big Brother vëlla”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo
NewsBomb