Lajme

Lushaku-Sadriu akuzon MASHT-in për dështim në mbrojtjen e integritetit të Testit të Maturës, kërkon dorëheqjen e Çekut

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Ministrinë e Arsimit për neglizhencë në garantimin e integritetit të Testit Shtetëror të Maturës, duke thënë se problemet me kopjimin kanë qenë të paralajmëruara dhe të shmangshme gjatë ditës së sotme.

Lushaku-Sadriu deklaroi se si anëtare e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, kishte propozuar ndryshime në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës, përfshirë vendosjen e monitorimit të avancuar dhe pajisjeve elektronike që do ta bënin të pamundur komunikimin dhe kopjimin në sallat e testimit.

Ajo tha se po të kishte ekzistuar vullneti politik, problemi i kopjimit do të ishte zgjidhur përmes një tenderi dhe pajisjet e nevojshme do të ishin vendosur tashmë në sallat e testimit.

“Kjo është një dështim i paralajmëruar që do të shkaktojë padrejtësi mes nxënësve dhe do ta bëjë testin të pavlerë”, u shpreh ajo.

Lushaku-Sadriu kritikoi gjithashtu Qeverinë për mungesë prioriteti ndaj arsimit, duke theksuar se pasojat e këtyre dështimeve do t’i bartin nxënësit dhe familjet e tyre.

Në fund, deputetja kërkoi përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar, duke deklaruar se ministri përgjegjës duhet të japë dorëheqje menjëherë.

“Me dështimin e Ministrisë së Arsimit, Ministri Çeku do të duhej të jep përgjegjësi e dorëheqje menjëherë”, ka shkruar ajo.

Të Ngjashme