Emërimi i Lumturie Lipovecit në pozitën e këshilltares në Ambasadën e Kosovës në Hagë të Holandës është bërë me vendim të nënshkruar më 20 maj 2026 nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Lipoveci është caktuar në këtë pozitë për një mandat katërvjeçar, ndërsa detyrën e ka nisur më 3 gusht 2026.
Ajo është tezja e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, e cila në një prononcim për “Bota sot” ka dhënë sqarime lidhur me emërimin dhe karrierën diplomatike të së afërmes së saj.
Çerkini ka theksuar se Lipoveci ka qenë e angazhuar në diplomaci shumë kohë para se ajo të bëhej pjesë e politikës, duke shtuar se përvoja e saj në këtë fushë zgjat gati një dekadë.
Deputetja ka mohuar se pozita e saj në Kuvend ka pasur ndonjë ndikim në angazhimin diplomatik të Lipovecit.
“Lidhur me lajmet që po qarkullojnë për znj. Lipoveci, në të cilat aludohet se emërimi i saj ndërlidhet me pozitën time si deputete, dua të sqaroj se kjo është e pavërtetë. Angazhimi i saj në diplomaci ka nisur shumë kohë para se unë të bëhesha pjesë e politikës dhe nuk ka asnjë lidhje me angazhimin tim. Ajo mban post diplomatik prej gati një dekade dhe kur filloi shërbimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, unë isha ende studente në Britani”, ka deklaruar Çerkini.
Ajo ka folur edhe për përvojën profesionale të Lipovecit, duke vlerësuar se angazhimi i saj shumëvjeçar në shërbim të Republikës së Kosovës duhet të shihet në kontekstin e karrierës së ndërtuar ndër vite.
“Është për keqardhje se si individë të caktuar, që thirren në gazetari dhe kanë për detyrë të raportojnë drejt, përpiqen ta keqinformojnë publikun. Është e papranueshme që puna gati njëzetvjeçare e një profesionisteje në shërbim të Republikës së Kosovës të përdoret si shënjestër për sulme ndaj meje dhe Qeverisë”, ka deklaruar Çerkini për “Bota sot”.
