Plazhi Copacabana u shndërrua në një pistë të madhe vallëzimi të shtunën me më shumë se një milion e gjysmë njerëz të mbledhur për koncertin e Madonna-s në Rio de Janeiro.
Para koncertit, i gjithë qyteti ishte i mbushur me njerëz dhe fansat u mblodhën para hotelit “Copacabana Palace” me shpresën për të kapur një pamje të yllit. Aeroporti i qytetit pranoi 170 fluturime shtesë të tifozëve të ardhur nga e gjithë bota.
Zyrtarët e qytetit vlerësuan se 1.6 milionë njerëz e ndoqën koncertin, me disa që ndoqën shfaqjen nga suitat me pamje nga plazhi, ndërsa të tjerë panë spektaklin nga varkat dhe jahtet në det.
Në një skenë të rrethuar nga ekrane të mëdha, Madonna hapi koncertin me hitin “Nothing Really Matters”, i cili u prit me entuziazëm nga publiku.
Këngëtarët brazilian të popit Anita dhe Pablo Vitar, si dhe muzikantë më të rinj nga shkolla e sambas, iu bashkuan asaj në skenë gjatë koncertit./abcnews.al