Lajme

Marrëveshja me Shqipërinë, ish-kryeministri italian skeptik: Tingëllon si reklamë

Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka komentuar marrëveshjen që shteti shqiptar firmosi ditën e djeshme me palën italiane për ndërtimin e strehimoreve në Shëngjin, me qëllim për të menaxhuar fluksin e emigrantëve.

Renzi e shikon me skepticizëm këtë marrëveshje, duke thënë që kryeministrja e Italisë ka dërguar në Shqipëri vetëm turistë.

Sipas ish-kryeministrit e vetmja zgjidhje për këta emigrantë të paligjshëm është që të dërgohen në punë dhe se pjesa tjetër tingëllon si reklamë.

 “Le të shohim nëse kalojmë nga fjalët në veprime. Është qeveria që duhej të bllokonte zbarkimet. Për momentin në Shqipëri Meloni na ka dërguar turistë vetëm këtë verë. Të shohim nëse kjo zgjidhje do të funksionojë, unë vazhdoj të mendoj se ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është dërgimi i këtyre njerëzve në punë. Ruajini në det dhe më pas dërgojini në punë. Pjesa tjetër më tingëllon si reklama, pastaj do të shohim nëse do të funksionojë. Më duket një zgjidhje mjaft teorike dhe jopraktike”, ka thënë ai.

Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan ditën e djeshme marrëveshjen për të streguar emigrantët e vendeve të treta në Shqipëri. Në marrëveshje theksohet se emigrantët do të strehohen në Shëngjin, duke nisur nga pranvera e vitit 2024.  Sipas asaj që u tha nga mediat italiane  ideja për këtë marrëveshje ka ardhur gjatë pushimeve të Melonit në Shqipëri, ku të dy kryeministrat kanë rënë dakord.

Gjatë konferencës së djeshme  Meloni tha se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil. Ajo theksoi se Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë. Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme dhe në vit do të qarkullojnë deri në 36 mijë persona. Marrëveshja nuk do të zbatohet për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por vetëm për ata që shpëtohen në det, me përjashtim të të miturve, grave shtatzëna dhe subjekteve vulnerabël.