Lajme

Marrëveshja për emigrantët, Rama: Më vjen të vjellë kur flasin shkatërrim race

Kryeministri, Edi Rama, foli në emisionin “Repolitix” në Report Tv në lidhje me marrëveshjen që nënshkroi më 6 Nëntor në Romë për të strehuar emigrantët në Shëngjin.

Rama iu përgjigj kritikave që ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë. Ai tha se i vjen për të vjellë kur dëgjon disa që flasin për të zinj e flasin për shkatërrim të rracës.

Edi Rama: Më vjen për të vjellë kur ndesh disa që flasin për të zinj e flasin për shkatërrim të rracës e për lloj lloj broçkullash të neveritshme. Ne fare mirë mund të ishim përballë një dyndje siç ishin vendet e tjera, Maqedonia para se të bëhej e veriut, Serbia, Kroacia, Sllovenia u përballën me flukse të jashtëzakonshem në dyndjen e madhe të 2015. Ne nuk u përballëm sepse nuk ishim në rrugën ballkanike.

Qeveria shqiptare njoftoi një javë më parë  se Italia i ka ndarë  16.5 milionë euro si paradhënie për shpenzimet e mbajtjes së emigrantëve në kampe në territorin e saj në bazë të marrëveshjes.  Marrëveshja për emigrantët  shkaktoi reagime të shumta në të dyja shtetet, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës.