Lajme

Mashtrimi me 215.000 euro, biznesmenit do merrte letra bullgare dhe aksione në Turqi

Lorin Xhelilaj, një i ri me banim në Tiranë, është arrestuar nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pasi akuzohet se i ka marrë një biznesmeni përmes mashtrimit një shumë prej 215 mijë eurosh.

Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, efektivët e Policisë së Tiranës kanë lokalizuar dhe arrestuar Lorin Xhelilaj në kushtet e flagrancës.

“Ky shtetas ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shumën 215 000 euro, nga një 26-vjeçar,me pretekstin se do ti siguronte atij nxjerrjen e pasaportës bullgare, si dhe do ta bënte aksioner, në një kompani private në Turqi”, thuhej në njoftimin zyrtar.

Mirëpo, rezulton se personi që i ka paguar këto para ka qenë Denis Buzali. Ai i ka paguar ato 8 muaj më parë sepse donte të pajisej me pasaportë bullgare dhe të zgjeronte biznesin e tij edhe në shtetin turk. Lorin Xhelilaj kishte garantuar se do e kryente këtë punë.

Kur nuk po shihet asgjë konkrete, Denis Buzali ka kontaktuar 38 vjeçarin nga Tirana dhe i ka kërkuar t’i kthente paratë mbrapsht.

Lorin Xhelilaj i ka thënë se po haste shumë vështirësi dhe nuk po mundte të bënte as pasaportën bullgare dhe as të blinte aksionet në kompaninë private në Turqi, ndaj do t’i kthente para. Ai ka kërkuar kohë sepse një pjesë të parave e kishte investuar.

Ndodhur në këto kushte, Denis Buzali i është drejtuar Policisë së Tiranës dhe menjëherë është organizuar dhe finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Transporter”. Lorin Xhelilaj i është sekuestruar një pjesë e parave që kishte marrë, prej 108.600 euro.

Materialet tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo