Dy persona janë arrestuar në Ferizaj, ndërsa një i tretë është në kërkim, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të mashtrimit.
Sipas policisë, të dyshuarit dyshohet se janë prezantuar rrejshëm si posedues të kriptovalutave dhe kanë organizuar takim me tre persona që kishin interes për t’i blerë ato.
Përmes kësaj skeme, ata kanë arritur të përvetësojnë gjithsej 12 mijë euro, nga 4 mijë euro për secilin prej të dëmtuarve. Pas marrjes së parave, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes duke ikur përmes dritares së një lokali.
Policia njofton se gjatë hetimeve, të dyshuarit po tentonin të realizonin një rast të ngjashëm në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik. Nga ndërhyrja e policisë, janë arrestuar dy persona të moshës 25 dhe 23 vjeç, ndërsa i dyshuari i tretë ka arritur të arratiset.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa prova materiale, përfshirë një makinë për numërimin e parave, një çantë dhe një veturë e tipit Golf 7.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
