Lajme

“Mata krushqi me Breçanin”, gazetarja zbërthen akuzat për ish-zv.drejtorin e Policise

Gazetarja, Klodiana Lala, ka zbuluar detaje në lidhje me operacionin e SPAK të mbështetur në zbardhjen e komunikimeve të SKY.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lala zbërtheu akuzat që rëndojnë mbi ish zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili u arrestua mbrëmë.

Sipas dosjes së SPAK të cituar nga gazetarja Lala, Erzen Breçani ka qëndruar me një person pjesë të kësaj dosje, Bujar Gërmizi, i cili rezulton të jetë autori që mbështeste Nuredin Dumanin në udhëtimet e tij drejt Kosovës nga Kukësi.

Klodiana Lala: Z.Breçani ka dy akuza. Akuza e parë ka të bëjë për përkrahje të autorit të krimit, që është rast i Bujar Gërmizit. Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak se Bujar Gërmizi vinte nga radhët e policisë dhe vinte nga radhët e forcave speciale. Dhe njiheshin. Dhe kanë qëndruar në një stan në zonën e Kukësit, ku një moment, z.Breçani ka thënë që po përgjohej nga ana e policisë. Dhe në këto momente, thotë SPAK, ai ka përkrahur një autor të krimit. Ka një detaj tjetër. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani. Kjo është e dokumentuar, e thotë edhe Nuredin Dumani.

Lexo edhe: SPAK shuan aludimet se Ervin Mata u zhduk në Bolivi dhe e kërkon për 1 ton drogë

Akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave, sipas gazetares ka të bëjë me një shumë parash prej 300 mijë Eurosh që Breçani kishte marrë nga djali i tij.

Lala ka treguar disa detaje nga bisedat e zbardhura, ndërsa tregon edhe lidhjen mes Erzen Breçanit dhe Ervin Matës. Ajo tha se motra e Matës ka qenë e martuar me djalin e Breçanit, ndërkohë që në komunikimet me të birin, Erzen Breçani shprehet se nuk pranon para nga Ervin Mata.

Klodiana Lala: Ai dyshohet edhe për veprën penale të pastrimit të parave sepse ka marrë një shumë prej rreth 300 mijë Eurosh nga i biri. Dhe ai refuzonte paratë e Matës, por një moment ai i thotë djalit që ‘ti nuk duhet të merresh më me këtë punë’. Pra duket që ka dijeni për historinë e të birit, ‘nuk duhet të merresh më me këtë punë, sepse nuk duhet t’i bësh dëm Shqipërisë, nuk mund të më shkatërrosh mua’ e të tjera me radhë dhe ‘më ke dhënë fjalën që do kthehesh’. Por më pas duket sikur është i dorëzuar, sikur e ka humbur përballjen me djalin, dhe një moment tjetër i thotë që po me këtë çfarë bëre? Nëse ti i bën paratë, mund të m’i sjellësh se më duhet të investoj tek një hidrocentral që po ndërtohej. Por nga ana tjetër, vëllai i Erzen Breçanit pretendon që këto para që janë përdorur për blerjen apo hidrocentralin, janë marrë përmes një kredi.