ShowBizzz

Mbështeti protestat në Shqipëri, Capital T kërcënohet nga Policia e Tiranës: Çfarë i kërkoi oficeri?

Reperi i njohur shqiptar nga Kosova, Capital T, është përfshirë në një situatë të papritur pas reagimit të tij publik në mbështetje të protestuesve në Shqipëri.

Artisti u bëri thirrje mediave në Kosovë që të mos heshtin për zhvillimet në Shqipëri, duke kërkuar raportim të drejtë, të pavarur dhe pa censurë për protestat dhe përplasjet mes qytetarëve dhe policisë.

Por pas këtij reagimi, sipas një raportimi të Dosja.al, reperi ka marrë një telefonatë nga një punonjës i Policisë së Tiranës, i identifikuar si Niko Kurti.

Media në fjalë pretendon se ka siguruar një regjistrim audio të bisedës, gjatë së cilës oficeri e pyet artistin për vendndodhjen dhe kohën kur planifikon të kthehet në Shqipëri.

Sipas përshkrimit të bisedës, Capital T i është përgjigjur se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se nuk ka ende një datë të përcaktuar për kthimin në Tiranë.

Në një moment, oficeri thuhet se i ka kërkuar të mos e mbyllë telefonin, ndërsa më pas e ka pyetur për identitetin e tij me fjalët: “Trim Ademi je?”.

Në përfundim të telefonatës, sipas të njëjtit raportim, punonjësi i policisë i ka kërkuar reperit që, pasi të kthehet nga Amerika, të paraqitet në zyrën e tij për një bisedë ballë për ballë, duke i thënë se çështja nuk mund të diskutohej përmes telefonit.

Dosja.al e ka interpretuar këtë komunikim si presion ndaj artistit pas qëndrimit të tij publik.

Në reagimin që i parapriu kësaj ngjarjeje, Capital T kishte kërkuar nga mediat kosovare t’u jepnin hapësirë qytetarëve që po protestojnë në Shqipëri.

“Nuk kërkoj raportim të njëanshëm, por raportim të drejtë, të pavarur dhe pa censurë. Të dokumentohet çdo padrejtësi, çdo shkelje e të drejtave dhe çdo keqpërdorim i pushtetit, pa fshehur asnjë fakt”, shkroi reperi.

Ai e mbylli mesazhin duke theksuar lidhjen mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.

“Kufiri na ndan administrativisht, por e vërteta dhe përgjegjësia për njëri-tjetrin nuk njohin kufij. Heshtja nuk duhet të jetë zgjedhje kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen”, u shpreh Capital T.

Të Ngjashme