Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe përfundon më 17 maj 2026.
Sipas tij, të dhënave të përditësuara deri të premten, më 8 maj në orën 09:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org, janë pranuar gjithsej 21,378 kërkesa për regjistrim.
“Prej tyre, 9,149 aplikime janë aprovuar, 1,037 janë refuzuar, ndërsa 11,187 mbeten në proces shqyrtimi”.
Nga aplikimet e aprovuara, Elezi thotë se 2,284 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike, 239 për të votuar përmes kutisë postare në Kosovë, ndërsa 6,626 për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.
Ai ka bërë të ditur se procesi i votimit jashtë vendit do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik është 66,450.
“Ky kufizim vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi për votim përmes postës mbetet i pakufizuar. Në rast të arritjes së kufirit maksimal në një përfaqësi, aplikuesit do të udhëzohen të zgjedhin mënyra alternative të votimit përmes postës, sipas parimit të kohës së aplikimit”.
Po ashtu, KQZ ka përcaktuar një prag minimal prej 50 votuesish të regjistruar për organizimin e votimit në një përfaqësi diplomatike. Nëse ky numër nuk arrihet, votimi fizik në atë përfaqësi nuk do të organizohet dhe votuesit do të kalojnë automatikisht në votim përmes postës.
Sipas KQZ-së, shtetasve të regjistruar për votim me postë do t’u dërgohet paketa me fletëvotim në adresat e tyre, siç është praktikuar edhe në proceset e mëparshme zgjedhore.
