Lajme

Mbizotërim vranësirash dhe reshje shiu, ulen temperaturat

Si pasojë e kalimit të një sistemi frontal nga Jugperëndimi i Europës drejt Ballkanit, do të sjellë në territorin shqiptar mbizotërim të vranësirave të cilat herë pas here do të gjenerojnë reshje shiu si fillim në zonat veriore dhe gradualisht do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Në zonat veriperëndimore shirat do të jenë në formë rrebeshi. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të dobësojnë ndjeshëm reshjet në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm si në vlerat e mëngjesit edhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 4°C temperatura minimale deri në 17°C temperatura maksimale ne rang vendi.

Era do të fryjë mesatare deri e e fortë si në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 50 km/h nga drejtimi Jugor – Jugperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim deri në 4 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës paraqitet përgjatë gjithë 24 orëshit nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, duke sjellë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të dendura ku herë pas here do të gjenerojnë reshje shiu. Pritet që intervalet me kthjellime më të dukshme të jenë në zonat Veriore dhe veriperëndimore. Ndërsa në pjesën e dytë të ditës parashikohet që vranësirat dhe shirat të përfshijnë të gjithë republikën e Kosovës. Edhe gjatë natës moti do të jetë i paqëndrueshëm. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të ulen si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 3 gradë C vlera më e ulët deri në 12 gradë C vlera maksimale në rang vendi. Era do të paraqitet mesatare dhe e fortë duke arritur shpejtësi maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi Jugor – Jugperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Masat ajrore të paqëndrueshme do të ndikojnë kushtet e motit në të gjithë republikën e MV duke sjellë vranësira ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat perëndimore – veriperëndimore të MV duke rrezikuar reshje të izoluara shiu. Orët e pasdites; do të sjellin zhvillim të vranësirave duke gjeneruar shira në pjesën më të madhe të MV ku herë pas here do të jenë rrebeshe. Parashikohet që kjo situatë e paqëndrueshme atmosferike të na shoqërojë deri mëngjesin e së mërkurës. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit po ashtu vijojnë të ulen edhe vlerat e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 2°C minimalja deri në 14°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë 24–orëshit duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor.

Europa

Pjesa me e madhe e Europës do të paraqitet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike. Konkretisht me kthjellime dhe temperatura te larta do të jen; gadishulli Iberik dhe ishujt britanikë. Ndërsa me mot të kthjellët por të ftohtë do të paraqiten gadishulli Skandinav si edhe Europa Lindore. Për sa i përket Europës Qendrore dhe rajonit të Ballkanit do të dominohen nga vranësira dhe reshje shiu e dëbore si pasojë e prezencës së dy qendrave të presion të ulët atmosferik mbi këto rajone të Europës./abcnews.al