Sot u mbajt mbledhja komemorative në nderim të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Hafiz Gagica
“Angazhim i pakursyer e përkushtim i pakusht për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kështu mbase mund të përkufizojmë jetën dhe veprën e Hafiz Gagicës, intelektualit dhe veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare”, tha kryeministri në detyrë , Albin Kurti, në mbledhjen komemorative në nderim të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Hafiz Gagica, të organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministres në detyrë të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.
Kurti tha se me vdekjen e Hafiz Gagicës, vendi ynë humbi një njeri të mirë dhe një atdhetar shembullor, duke shtuar se ai ishte dhe do të mbetet në historinë e Republikës sonë, si bartës i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani, me theks të veçantë, por edhe në Zvicër e mbarë Evropën.
“Roli i tij në bashkimin dhe mbajtjen aktive të mërgatës sonë, gjenerata shqiptarësh të përndjekur nga regjimi serb, të cilët u kthyen në një brez të tërë qëndrese, ishte kyç në jetësimin e mbajtjen gjallë si dhe organizimin e forcimin e sistemit të Republikës së Kosovës që ndodhej nën okupim gjatë viteve të ’90-ta”, tha Kurti.
