ShowBizzz

Mbreti… tridhjetë vjet më vonë

Mbreti Luan mbush tridhjetë vjeç dhe krijuesi Rob Minkoff ndjen se klasiku i vitit 1994 (me regji të përbashkët me Robert Allers) “ka ende një vend unik në kujtimet dhe zemrat e njerëzve”, pavarësisht nga versionet e reja teknologjike.

“Pas vitesh zhvillimi, Inteligjenca Artificiale (IA) ka shpërthyer në interes dhe përdorim. Unë jam i pasionuar për të kuptuar ndikimin e kësaj teknologjie të re në kinema dhe rrëfim. Rezultatet e para janë mahnitëse. Mezi pres të shoh shembuj të rinj”.

Çfarë po kërkoni, nga se prisni të befasoheni?
“IA është efektive në dy mënyra të ndryshme, të dyja të dobishme. Nga njëra anë prodhon një imazh ëndërrimtar që bëhet një lloj fije e përbashkët mes shumë prej filmave të krijuar. Regjisorë të tjerë e përdorin për një histori shumë specifike. Për mua, ndikimi është më i madh kur IA është një mjet në shërbim të një artisti krijues, i cili, në mënyrë tradicionale, tregon një histori koherente dhe emocionalisht tërheqëse nga një këndvështrim personal.”
E konsideroni veten një pionier të animacionit?
“Kur fillova në Disney, Studio ishte bërë konservatore, ndërkohë që kishte qenë pioniere në përdorimin e tingullit dhe Technicolor-it. Kam vizatuar me dorë gjithçka që është vënë në film. Me ardhjen e kompjuterëve ne ishim ndër të parët që përdorëm IT në prototipe: për Mbretin Luan u përdor për të krijuar arratinë e mijëra kafshëve të egra.”

Si e përjetoni përvjetorin?
“Më gëzon fakti që publiku ende e përqafon, edhe falë shfaqjes teatrale, e cila ruan frymën dhe muzikën e filmit. Mbreti Luan i ka qëndruar provës së kohës dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Unë u rrita duke parë klasikët e Disney-t që vazhduan të dilnin në kinema. Kur i shikonim nuk e dinim se kur ishin bërë: Pinoku, Bambi, Dumbo. Kur je fëmijë, komponenti i kohës nuk është i rëndësishëm. Më pas e kupton se ato janë bërë dekada përpara se të lindnim ne, por ende kishin bukuri dhe fuqi. Është pika më e lartë për animacionin. Nuk ishte e sigurt se do të ndodhte edhe me Mbretin Luan”.

Kishte mëdyshje tek Disney?

Filmi evoluoi vetë. Ideja fillestare ishte diçka si Bambi, i vendosur në Afrikë, qasje natyraliste, cikli i jetës i një luani të vërtetë. Pastaj historia evoluoi në diçka mitike. Një nga frymëzimet është Star Wars i parë, me spiritualitet befasues dhe të rrallë për një film fantastiko-shkencor, aksion, aventurë. Ne po kërkonim të njëjtën mënyrë, të njëjtin rrëfim, kështu që zgjodhëm James Earl Jones për Mufasa, (ai ishte zëri i Darth Vader në Star Wars, red.). Simba zë vendin e tij në rrethin e jetës, është një situatë shpirtërore universale. Ekzistenca dhe vdekshmëria, tipari kalimtar i jetës, mungesa e përjetshmërisë”

A ishte e vështirë për t’u bërë skena e vdekjes së Mufasës?

“Po, shumë në Disney menduan se ishte shumë e papërpunuar, veçanërisht për fëmijët. Por fuqia e filmit është se ai trajton traumën sinqerisht, realisht, pa sentimentalizëm”.

Kujtimi juaj më personal?
“Kur regjistroi këngën Circle of Life, Hans Zimmer mori demon e Elton John dhe krijoi një mjedis madhështor me të. Më pas mbërriti artisti afrikano-jugor Lebo M, biseduam me të për homazhet e kafshëve ndaj mbretit të porsalindur. Ne donim një këngë afrikane. Në pak minuta ai kompozoi, riktheu dhe regjistroi hapjen afrikane të filmit. E gjithë kënga u bë trailer për filmin: një zgjedhje e pazakontë, e guximshme, fituese”.

Çfarë mendoni për ribërjet live të “Mbretit Luan”? Parathënia për fëmijërinë e Mufasës del në dhjetor.

“Në atë kohë Jon Favreau më ftoi të shihja punën e ekipit të tij. Kisha frikë se ai film do të zëvendësonte origjinalin në zemrat e njerëzve. Nuk ndodhi”. / la repubblica-bota.al